VV: Në veri dikur lejohej vetëm ndërtimi i vilave të Radojciqit, tash po ndërtohen shtëpi për qytetarë

Lëvizja Vetëvendosje ka publikuar pamje nga punimet në rrugën Bare-Selac, duke theksuar përparimet në ndërtimet publike në veri të vendit. Sipas VV-së, në të kaluarën aty lejohej vetëm ndërtimi i vilave të Radojçiqit, ndërsa tani po ndërtohen shtëpi për qytetarët dhe rrugë të reja.

“Në veri të vendit, dikur lejohej ndërtimi vetëm i vilave të Radojçiqit; sot, aty po ndërtohen shtëpitë e qytetarëve, rrugët e qyteteve dhe të fshatrave. Veriu është i Republikës dhe qytetarëve të saj, jo një ‘dhuratë e Rankoviqit’,” thuhet në deklaratën e VV-së.

Përgjatë katër viteve të fundit të qeverisjes, VV thekson se është bërë një punë e jashtëzakonshme në atë zonë, sidomos në aspektin infrastrukturor, me ndërtimin e shumë rrugëve dhe shtëpive. Rruga Bare-Selac, me gjatësi 8.4 km, është afër përfundimit dhe pritet të ketë rëndësi të veçantë për banorët dhe për sigurinë e vendit.

VV vë në dukje se veriu ka qenë i lënë pas dore jo vetëm për shtrirjen e rendit dhe ligjit, por edhe nga aspekti i infrastrukturës dhe shërbimeve jetësore. “Heqja dorë nga qeveritë e kaluara ka bërë që, përveç presioneve për largim nga ato zona, qytetarët të përballen me mungesë perspektive për një jetë normale, për shkak të mungesës së shërbimeve elementare.”

Go to TOP