Vuniqi anëtarëve tjerë të KPK-së: Paga juaj e kalon atë të Presidentes, unë s’jam kompensuar që 5 muaj

Dardan Vuniqi, anëtar i Këshillit Prokurorial të Kosovës nga radhët e profesorëve universitarë të drejtësisë, ka ngritur në Këshill çështjen e rishikimit të shtesave, duke thënë se ai nuk po trajtohet barabartë si anëtarët tjerë të Këshillit.

“E para, unë nuk kam kërku mëshirë, e dyta informoj opinionin publik që ka 5 muaj që unë nuk pranoj shtesë. Nuk kam kërku pagë, kam kërku që të barazohem me anëtarët e Këshillit Prokurorial, i ftoj edhe partnerët ndërkombëtarë edhe shoqërinë civile të analizojnë nivelin e pagave të cilat janë në sistemin prokurorial”, u shpreh ai.

Vuniqi tha të enjten në mbledhjen e KPK-së se anëtarët e Këshillit kompensohen me paga që e kalojnë edhe atë të Presidentes.

“Nga 11 anëtarë të Këshillit të cilët jemi, të gjithë ju për punën e juaj pranoni paga e cila e tejkalon edhe pagën e presidentes, kjo për mu është e rëndësishme, pak ka rëndësi kush edhe çka merr”, tha ai.

Për këtë, ka reaguar anëtari Arian Gashi, i cili ka thënë se pagat e tyre janë të ligjshme.

“Pagat që i pranojmë janë paga ligjore që na i ka përligjur dhe Gjykata Kushtetuese. E kujtoj edhe pozitën tënde sepse nuk është lehtë të jetë i pabarabartë në mesin e të barabartëve”, tha ai.

Vuniqi shtoi se ka kërkuar të paguhet në cilësinë e anëtarit të Këshillit dhe njëherë e përgjithmonë kjo çështje të përfundojë pasi kjo gjë e përcjell nga muaji shkurt dhe ai nuk merr shtesë për punën që bën.

“I nderuar kryesues, nuk kam kërkuar mëshirë, nuk pranoj komunikime joformale, nuk tërhiqem nga kërkesa ime për t’u trajtuar kornizat e ligjit, kaq. Të mos merret si i mirëqenë komunikimi jem dhe bashkëpunimi im këtu. Unë e konsideroj këtë trajtim edhe si presion në punën time, sepse e dini të gjithë ju që shtesa/paga është dinjitet për punën që e bëjmë”, theksoi Vuniqi.

Vuniqi kërkoi nga kryesuesi Ardian Hajdaraj që kjo çështje të mos devijohet sepse në të kundërtën çdo komunikim që do të bëhet në raport me atë çështje ai do ta paraqes para organeve sepse e konsideron presion në punën e tij.

Për këtë çështje, shkresë në KPK ka dërguar edhe Ambasada Amerikane, për çka Vuniqi tha se i falënderon, por tregoi se këtë shkresë e kanë pranuar 15 minuta para mbledhjes, andaj edhe kërkoi që këto shkresa të dërgohen në kohë reale.

“Kam kërku diçka që mendoj që më takon, kam kërku të jem i barabartë, unë partenerët ndërkombëtar i falënderoj por këto shkresa dhe komente të jenë në kohë reale”, tha ai.

Për këtë, anëtari Arian Gashi tha se kanë pranuar këtë letër nga Ambasada, dhe se për trajtimin e një kërkesë të tillë nuk i kanë të gjitha informatat e duhura.

“Kisha kërku që një çështje e tillë të dërgohet në Komisionin për çështje normative”, u shpreh ai, duke thënë se një kërkesë e tillë është para disa muajve por që nuk është trajtuar. Tha që kësaj here të kërkojnë një afat prej 15 ditësh.

“Besoj që Komisioni do ta bëjë punën e vet dhe të vie me një propozim për ndryshimin e rregullores për shtesa”, theksoi Gashi.

Këtë ide, e përkrahi edhe anëtari tjetër, Veton Shabani, duke thënë se ndonëse janë vonuar është mirë që këtë çështje ta trajtojë komisioni.

Profesori Vuniqi, shtoi se kërkesa e tij ka ardhur si pasojë e mosveprimeve që katër muaj edhe nga ana e Komisionit për çështje normative e në veçanti të kryesuesit Ardian Hajdaraj.

Anëtari Gashi tha se po ta kishte kryer punën komisioni para 3-4 muajve, kjo çështje do ishte rregulluar me Rregullore.

“Çështja është si kemi procesu, nëse duhet prapë me vendim të përkohshëm apo të shkohet direkt me ndryshim të rregullore”, u shpreh ai, duke thënë se kjo çështje duhet të marrë epilog.

Fillimisht, kjo pikë u propozua që të shkojë me dyer të mbyllura, por, anëtari Vuniqi tha se kërkesa e tij është publike dhe nuk ka diçka që duhet të trajtohet me dyer të mbyllura, në të kundërtën ai nuk do marrë pjesë fare në takim.

Go to TOP