Vuletiq: Normalizimi me Kosovën, kusht për rrugën evropiane të Serbisë

Vendi i cili ka mbajtur dhe vazhdon të mbajë raporte me Iranin është Serbia dhe presidenti i saj, Vuçiq. Madje ky i fundit ka reaguar edhe ndaj sulmeve të SHBA-së dhe Izraelit ndaj Iranit. Por, Vuçiq në të ardhmen e afërt mund të ballafaqohet me presion amerikan për përmirësimin e raporteve dhe njohjen e Kosovës. Sipas Zoran Vuletiqit nga Forumi Demokratik Qytetar, qëndrimi i SHBA-së është i qartë: normalizimi i raporteve me Kosovën mbetet kusht për rrugën evropiane të Serbisë.

Gjatë vizitës së ministrit të Jashtëm të Serbisë, Marko Gjuriq, në Uashington, u ngrit çështja nëse Serbisë i është kërkuar të njohë Kosovën. Disa analistë pretenduan se atij i është ofruar një “marrëveshje e fshehtë”, çka nxiti reagime në Beograd.

“Amerika e ka njohur prej kohësh pavarësinë e Kosovës. Kur ministri serb dhe ai amerikan bisedojnë, pika e nisjes së Uashingtonit është se Kosova është shtet i pavarur. Nuk ka asnjë iniciativë të fshehtë”, tha Zoran Vuletiq nga Forumi Demokratik Qytetar.

Ai rikujton se Perëndimi ka theksuar vazhdimisht se përfundimi i dialogut me Kosovën është kusht për përparimin e Serbisë drejt BE-së. Si shembull përmend deklaratën e ish-kancelarit gjerman Olaf Scholz në Beograd, disa vite më parë, se njohja e Kosovës është kusht për anëtarësimin e Serbisë në BE. Sipas Vuletiqit, qëndrimi ndërkombëtar ka qenë prej kohësh i qartë – normalizimi është parakusht për rrugën evropiane të Serbisë.

“Serbia prej kohësh po e zvarrit përfundimin e këtyre bisedimeve dhe të gjithë po i vuajmë pasojat. Duke qenë se Serbia me shumë gjasë gjendet në një vit parazgjedhor, nevojitet një qasje serioze ndaj planit franko-gjerman, Marrëveshjes së Brukselit dhe Aneksit të Ohrit, të cilat tashmë po zbatohen në terren në Kosovë”, theksoi ai.

Ai thekson se kjo çështje nuk duhet trajtuar si tradhti. Sipas Vuletiqit, është i domosdoshëm një debat i hapur me qytetarët, veçanërisht me serbët në Kosovë, pasi përfundimi i procesit të normalizimit është i pashmangshëm, sepse është pasojë e politikave të viteve ’90 ndaj rajonit dhe shqiptarëve.


Go to TOP