Vuçiq: Vendimi për dinarin vështirësoi jetën e serbëve në Kosovë

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka thënë të hënën në Nju Jork, se serbët në Kosovë po vazhdojnë të përballen me ngacmime dhe forma të ndryshme të dhunës nga autoritetet, por pa ofruar dëshmi.

Ai i ka bërë këto deklarata në një seancë të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për Kosovën.

Kosova përfaqësohet në këtë takim nga presidentja e shtetit, Vjosa Osmani.

Përgjatë fjalimit të tij, presidenti serb e ka përmendur nënshkrimin e marrëveshjeje me Kosovën, me ndërmjetësim të BE-së, më 2013, dhe sipas tij, janë bërë “11 vjet të premtimeve të pambajtura dhe arsyetimeve, dhe paaftësisë së BE-së për t’i lëvizur gjërat”.

Kur ka folur për çështjen e dinarit, presidenti serb ka thënë se vendimi i Prishtinës zyrtare ua ka vështirësuar përditshmërinë serbëve dhe minoriteteve tjera në Kosovë.

Më 1 shkurt, Banka Qendrore e Kosovës (BQK) ka nisur së zbatuar një rregullore të re e cila e përcakton euron si valutën e vetme për kryerje të pagesave me para të gatshme.

Kështu, komunitetit serb në Kosovë i është pamundësuar përdorimi i dinarit, valutës serbe.

Serbia deklaron se ndan ndihmë në vlerë të miliona eurove për serbët në Kosovë, dhe ua paguan atyre pagat, pensionet dhe ndihmën shtesë.

Go to TOP