Vuçiq lavdëron “Ballkanin e Hapur”, Bosnja shpreh dëshirë t’i bashkohet nismës

Përfaqësuesit e Bosnjë e Hercegovinës kanë shprehur dëshirën që t’i bashkohen “Ballkanit të Hapur”, teksa presidenti serb tha se kjo është nisma më e mirë në rajon, që sjell përfitime për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor.

Pjesëmarrësit e nismës “Ballkani i Hapur” mblidhen sot dhe nesër në Ohër të Maqedonisë së Veriut, për takimin e radhës. Të martën ata morën pjesë në një darkë pune, ndërkaq të mërkuren pritet të nënshkruajnë katër marrëveshje bashkëpunimi – për luftën kundër evazionit fiskal, për njohjen e diplomave të arsimit të lartë, për bashkëpunim kulturor dhe për bashkëpunim në fushën e turizmit – në të cilat Radio Evropa e Lirë ka pasur qasje.

Në nismën “Ballkani i Hapur” marrin pjesë tri vende të Ballkanit Perëndimor: Shqipëria, Serbia dhe Maqedonia e Veriut – jashtë saj janë ende: Kosova, Mali i Zi dhe Bosnjë e Hercegovina.

Megjithatë, në Ohër po marrin pjesë përfaqësuesit e Malit të Zi dhe Bosnjë e Hercegovinës.

Vuçiq: “Ballkani i Hapur” s’e zëvendëson BE-në

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, deklaroi të martën në Ohër se “Ballkani i Hapur” sjell përfitime për të gjitha vendet e rajonit të Ballkanit Perëndimor dhe se kjo iniciativë nuk e zëvendëson integrimin në Bashkimin Evropian, por është një nismë e veçantë e popujve ballkanikë.

Ai pas arritjes në Ohër tha se është një mbështetës i fortë i nisjes së negociatave të BE-së me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, porse nisma “Ballkani i Hapur” është në dobi të të gjithëve.

“Kjo nismë është më e mira në rajon në dekadat e fundit”, tha Vuçiq, teksa foli edhe nëse kjo nismë është e hapur për Kosovën.

“Sa i përket dëshirës së kujtdo tjetër për të hyrë në ‘Ballkanin e Hapur’, të gjithë janë të mirëpritur. Ju e quani Republika e Kosovës, ne e quajmë ndryshe. Nëse doni t’i zgjidhim problemet në interes të qytetarëve, a do të kemi mjaftueshëm miell, vaj dhe gjithçka tjetër, atëherë kjo është një pyetje për ‘Ballkanin e Hapur’,” tha Vuçiq.

“Nuk e kam problem të flasë me çdokënd në Prishtinë. Shkëmbimi tregtar në CEFTA është shumë herë më i madh se në fillim. Kjo sjell përfitime për Ballkanin”, shtoi ai.

Presidenti serb tha se në takimin me liderët e tjerë do të ngrehë çështjen se si vendet e rajonit mund të ndihmojnë njëri-tjetrin në ushqim, energji, gaz, ndërtimin e përbashkët të termocentraleve, veçanërisht termocentraleve të ripërtëritshme.

Përveç presidentit serb, Aleksandar Vuçiq, kryeministrit maqedonas, Dimitar Kovaçevski, dhe atij shqiptar, Edi Rama, që janë iniciues të “Ballkanit të Hapur”, në takimet e nismës në Ohër, për herë të parë, merr pjesë edhe kryeministri i Malit të Zi, Dritan Abazoviq, në cilësinë e vëzhguesit.

I pranishëm është edhe kryetari i Këshillit të Ministrave të Bosnje e Hercegovinës, Zoran Tageltija.

Go to TOP