Vuçiç injoron Perëndimin, anulon udhëtimin në Sllovaki mes tensioneve në veri: Do të luftojmë për serbët e Kosovës

Pas përleshjeve të së hënës në veri, Bashkimi Evropian dhe NATO kanë kërkuar nga Kosova dhe Serbia që të angazhohen për “uljen e menjëhershme” të tensioneve. Madje, i dërguari i posaçëm i BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, bëri përpjekje për të organizuar një takim mes liderëve të Kosovës dhe Serbisë, në Bratislavë të Sllovakisë, ndonëse pa sukses.

Kryeqyteti sllovak u përmend si vend i mundshëm ku do të mund të takoheshin të dy liderët, pasi ishin ftuar të merrnin pjesë në konferencën për siguri globale, GLOBSEC. Mirëpo, si Kurti, dhe Vuçiç, e kanë anuluar udhëtimin. “Ka qenë e planifikuar që të shkojë.

Por, për shkak të zhvillimeve në vend është shtyrë pjesëmarrja. Nuk është definitive ende nëse do të marrë pjesë ose jo”, ka thënë Përparim Kryeziu, lidhur me vendimin e Kurtit. Nga ana tjetër, Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, përmes një video në rrjetin social “Instagram”, ka njoftuar se ka anuluar pjesëmarrjen sepse, siç pohon ai “është më e rëndësishme të jem me njerëzit e mi”, pas ngjarjeve të krijuara në Veri të Kosovë, ku protestuetsit serbë sulmuan ushtarët e KFOR-it.

“Sot do të vizitoj ushtarët tanë, heronjtë, mijëra prej tyre që janë të dislokuar në vendet më të rëndësishme.

Jam i bindur se e vërteta dhe drejtësia dhe Serbia do të fitojnë në fund”, ka thënë Vuçiç. “Jam i bindur se do të kemi sukses të luftojmë për lirinë e popullit tonë, për mbijetesën dhe sigurinë e popullit tonë në veri të Kosovës”, ka shtuar ai. Sakaq, Vuçiç është takuar me ambasadorët e QUINT-it, ku deklaroi se paqja mund të ruhet vetëm nëse ka tërheqje të kryetarëve të sapozgjedhur të katër komunave në veri si dhe pjesëtarëve të njësive speciale të Kosovës.

Go to TOP