Vranidoll: Zgjerimi i rrugës i lë pusetat e hapura, 16-vjeçari bie në njërën nga to dhe pëson gjakderdhje të brendshme

16 vjecari E.K, fundjavën e kaluar ra në një pusetë teksa ishte duke lëvizur me trotinet elektrik përgjatë magjistrales Prishtinë-Podujevë, përkatësisht në fshatin Vranidoll.

E, meqë u rrëzua së bashku me mjetin që po lëvizte, ai pësoi gjakderdhje të brendshme në bark nga pëlcitja e organit të shpretkës, të cilën kirurgët edhe ia hoqën.

Detajet se si ka ndodhur kjo ngjarje i tregoi për emisionin “Ju flet Prishtina”, babai i të lënduarit.

Edhe vet kirurgu abdominal, Lulzim Salihu e konfirmoi se të miturit ia hoqën shpretkën dhe e operuan me urgjencë si shkak i gjakderdhjes.

Aktualisht i lënduari trajtimin po e vazhdon në klinikën e kirurgjisë abdominale në QKUK.

Nga ky rast, përveç familjes së 16 vjeçarit, janë alarmuar edhe banorët tjerë të Vrandollit për pusetat e hapura e të cilat nuk janë të pakta, madje pa asnjë sinjalistikë apo shirit lokalizues. Kjo situatë ka ardhur për shkak të punimeve në zgjerimin e rrugës në magjistralen Prishtinë-Podujevë, punime që po kryhen nga Ministria e Infrastrukturës

Kreu i fshatit Vranidoll, Bexhet Reqica urgjentisht kërkon nga Ministria përkatëse të bëjë mbylljen e këtyre pusetave apo të paktën të vendosë shenja sinjalizuese.

Në mes tjerash, banorët kërkojnë të dinë më shumë detaje lidhur me projektin e rrugës nacionale sa i përket vendkalimeve dhe qasjes për hyrje-dalje në fshatin e tyre.

Emisioni për kryeqytetin “Ju flet Prishtina”, lidhur me këtë rast dhe ankesat e qytetarëve i është drejtuar edhe Ministrisë së Infrastrukturës si autoritet kontraktues, por pa ndonjë përgjigje apo sqarim deri në momentin e raportimit.

Go to TOP