Von der Leyen: Mali i Zi afër anëtarësimit në Bashkimin Evropian
Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, tha se Mali i Zi është afër qëllimit për t’u bërë anëtare e Bashkimit Evropian.
Ajo u tha gazetarëve në prag të Samitit BE-Ballkani Perëndimor se Mali i Zi po arrin rezultate të shkëlqyera dhe BE po hap dyert e saj.
Megjithatë, ajo theksoi se kandidatët duhet të përmbushin reformat, shkruan Vijesti.me.
“Me reformat vijnë investimet dhe kjo është pjesa e parë e bisedimeve të sotme. Ne duhet të kuptojmë përfitimet e anëtarësimit sepse sjell shumë gjëra të dobishme”, tha zyrtarja e lartë evropiane.
Ajo tha se ky proces bazohet në meritë dhe kushdo që përmbush kushtet do të jetë në BE.
“Mali i Zi është mbresëlënës dhe arrin rezultate të shkëlqyera. Vazhdoni në atë rrugë dhe ne jemi këtu për t’ju mbështetur. Mendoj se jeni afër qëllimit”, tha von der Leyen.
