Vlerësimi im për prishtinasit – prishtinalit!

Shkruan: Shyqëri OBËRTINCA

Bashkëjetesa dhe toleranca ndërmjet fshatarëve, malësorëve dhe qytetarëve është një traditë dhe virtyt i prishtinasve.

Kohëve të fundit ka filluar të debatohet për divergjencat fshat–qytet në Prishtinë. Edhe unë u përfshiva në këtë debat lidhur me qytetërimin. Si mësues, mendoj se kemi për detyrë që mesazhet tona të kenë qëllime edukative në kultivimin e tolerancës, harmonisë dhe respektit ndaj njerëzve. Njerëzit nuk ndahen në fshatarë apo qytetarë, por në njerëz me kulturë ose pa të, njerëz të qytetëruar ose jo, me arsim ose pa arsim.

Prandaj, ne duhet të jemi nxitës dhe frymëzues të dashurisë për dijen, përparimin dhe tolerancën kulturore. E vetmja “propagandë” që duhet të bëjmë është ajo për qytetërimin, kombin dhe atdheun.

Prishtinasit e vërtetë janë shumë tolerantë. Ata i përkrahin të gjitha kulturat — qofshin ato të fshatit, të malësorëve, qytetërime të tjera apo kultura botërore — por njëkohësisht e ruajnë me xhelozi dhe përkushtim edhe kulturën dhe traditën e tyre.

Në Prishtinë, ndër shekuj, popullata (shumicë) ishte shqiptare, por edhe serbe, vllehe, raguziane, hebreje, turke, boshnjake, malazeze, kroate, ashkalinj etj.

Prishtinasit janë qytetarë me virtyte të larta njerëzore. Ata karakterizohen nga parimet e tolerancës, botëkuptimit të hapur dhe mirëkuptimit, si dhe nga një diversitet i pasur gjuhësor, fetar dhe kulturor.

Pa komplekse përdorin gjuhët e komuniteteve dhe, së bashku — myslimanë, katolikë, ortodoksë e hebrenj (prishtinasit e vjetër) — vizitonin, përshëndesnin dhe uronin njëri-tjetrin me rastin e festave fetare.

Prishtinasit ishin poliglotë të gjuhëve të mjedisit (të komuniteteve), por ndonjëherë as gjuhën amtare nuk e flisnin pastër!

Këta janë qytetarët e Prishtinës – prishtinasit.

Ju faleminderit për mirëkuptim!


Go to TOP