Vlera e kredisë që qeveria i kërkoi autorizim presidencës për projektin e energjisë elektrike

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në një konferencë për media, sot, ka njoftuar se kanë kërkuar nga presidenja Vjosa Osmani autorizim për miratimin e kredisë për mjete financiare, për projektin e përmirësimit të rrjetit të energjisë elektrike.

Sipas tij, ky vendim është marrë në mbledhjen e sotme të qeverisë.

“Nga mbledhja me korrespodencë e Qeverisë së Republikës së Kosovës, posa e miratuam vendimin për të kërkuar nga presidentja e Republikës së Kosovës për dhënien e autorizimit për nënshkrimin e marrëveshjes së kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës, KOSTT-it pra dhe KFW-së për projektin e zhvillimit të sektorit të energjisë, përmirësimin e rrjetit të transmetimit”, deklaroi Kurti.

Ndërkaq, nga zyra e kryeministrit kanë njoftuar se kjo marrëveshje siguron kredinë në vlerë prej 25 milionë e 500 mijë euro.

”Miratimin e qeverisë e ka marrë edhe vendimi për t’i rekomanduar presidentes së Republikës së Kosovës që të autorizojë ministrin e Financave, Punës dhe Transfereve që të nënshkruajë Marrëveshjen e Kredisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe KfW-së për projektin “Zhvillimi i Sektorit të Energjisë VII – Përmirësimi i Rrjetit të Transmetimit”. Marrëveshja siguron kredinë në vlerën prej 25.500.000,00 euro (njëzetepesë milionë e pesëqind mijë euro)”, njofton ZKM-ja.

Go to TOP