Vitia mobilizohet për 7 qershorin, Albin Kurti premton projekte të reja dhe fitore me 116

Vitia ka dhënë një sinjal të fortë mbështetjeje për Lëvizja VETËVENDOSJE! në tubimin e fundit elektoral, ku pjesëmarrja masive e qytetarëve, entuziazmi dhe brohoritjet e shumta dëshmuan mobilizimin për zgjedhjet e 7 qershorit.

Në hapje të tubimit, kandidati për deputet Arsim Ademi theksoi se Vitia është e vendosur të arrijë rezultat rekord duke e cilësuar tubimin jo vetëm si mbështetje, por si shprehje të qartë të vendosmërisë qytetare për një Kosovë të ndërtuar mbi parime të qëndrueshme.

Para të pranishmëve foli edhe kryeministri Albin Kurti, i cili prezantoi investimet e realizuara gjatë mandatit qeverisës në këtë komunë. Ai përmendi përfundimin e shkollës fillore “Halil Alidema” në Pozheran, adaptimin e objekteve shkollore në çerdhe në Qifllak dhe Drobesh, ndërtimin e sallës sportive në shkollën “Dëshmorët e Vitisë”, si dhe renovimin e Inkubatorit të Biznesit.

Sipas tij, janë realizuar edhe projekte të rëndësishme infrastrukturore, përfshirë rrugën Viti–Kërbliq–Kaçanik (faza e parë), rrugën alternative për Stubëll, rrugën për Vernakollë dhe Mjak, si dhe Parkun Industrial në Budrikë me vlerë 1.7 milionë euro.

Kurti prezantoi edhe planet për mandatin e ri duke premtuar ndërtimin e poliklinikës specialistike në Viti, përfundimin e çerdhes së re dhe objektit të Gjykatës, si dhe ndërtimin e palestrës sportive në Drobesh. Ai gjithashtu paralajmëroi konservimin e shkollës së parë shqipe në Stubëll dhe restaurimin e shtëpisë së Kol Pashkut.

Në fushën e infrastrukturës, ai u zotua për vazhdimin e projekteve madhore, përfshirë kyçjen e Vitisë në autostradën “Arbën Xhaferi”, revitalizimin e segmentit Kllokot–Bibaj, përfundimin e fazës së dytë të rrugës Viti–Kërbliq–Kaçanik dhe ndërtimin e digës së Firajës për furnizim me ujë të pijshëm dhe ujitje.

Në përmbyllje, Kurti theksoi nevojën për realizimin e projekteve të kahershme si ndërtimi i digës në lumin Morava mbi Binçë dhe zgjidhja e problemit të tranzitit në qytet përmes zgjerimit të rrugëve ekzistuese apo ndërtimit të alternativave të reja.

Mesazhi përfundimtar i tubimit ishte i qartë: më 7 qershor, qytetarët e Vitisë synojnë të vulosin mbështetjen për numrin 116 dhe të festojnë një fitore të re politike. /Kosova.info/


Go to TOP