Bajrami: Hadergjonaj simbol i sakrificës dhe garanci për sigurinë e Kosovës
Kandidatja për deputete, Hykmete Bajrami ka shprehur mbështetje të fuqishme për kandidatin e Lidhja Demokratike e Kosovës, Fadil Hadergjonaj, në prag të zgjedhjeve të 7 qershorit.
Ajo theksoi se qëndrimi pranë Hadergjonajt dhe familjes së tij është një nder i veçantë duke e cilësuar atë si një figurë që mishëron sakrificën dhe përkushtimin për lirinë e Kosovës.
“Është vështirë të gjesh fjalët e duhura për një njeri si gjenerali. Sa herë je pranë tij, e kupton sa të vegjël jemi para sakrificës dhe kontributit që ai dhe bashkëluftëtarët e tij kanë dhënë për vendin,” u shpreh Bajrami.
Ajo shtoi se siguria nuk duhet të trajtohet vetëm si temë fushate, por si një çështje jetike e përditshmërisë dhe e së ardhmes së shtetit. Sipas saj, liria e fituar me shumë sakrificë duhet të ruhet dhe të forcohet vazhdimisht.
Në fund, Bajrami bëri thirrje për mbështetje ndaj LDK-së dhe kandidatit Hadergjonaj duke e konsideruar atë si një garanci për sigurinë dhe të ardhmen e Kosovës. /Kosova.info/
