Vinicius: Kam lidhje të jashtëzakonshme me Mbappe
Sulmuesi i Real Madrid, Vinicius Junior, ka folur me optimizëm para sfidës së madhe ndaj Bayern Munich, duke theksuar bashkëpunimin e tij me Kylian Mbappe.
Braziliani ka hedhur poshtë dyshimet për përshtatjen e tyre në fushë, duke nënvizuar se raporti mes tyre është shumë i mirë.
“Njerëzit flasin shumë… por ‘Kyli’ është këtu për të na ndihmuar. Ai na jep besim dhe shënon gola për ne. Duhet të jemi të lidhur, sidomos me tifozët dhe me njëri-tjetrin”, ka deklaruar Vinicius.
Ai ka shkuar edhe më tej, duke theksuar raportin personal me francezin. “Kam një lidhje të jashtëzakonshme me të, jo vetëm në fushë, por edhe jashtë saj”, ka thënë sulmuesi brazilian.
Vinicius e ka pranuar se humbja ndaj Mallorca në La Liga ishte një sinjal alarmi për skuadrën.
“Ka ditë kur jemi më pak të lidhur dhe kjo ndodhi ndaj Mallorca. Nëse nuk jemi në 200 për qind, nuk fitojmë ndeshje”, është shprehur ai.
Megjithatë, ai ka premtuar reagim në ndeshjen e madhe. “Shpresoj që të jemi në maksimum, sepse kjo është një ditë shumë e rëndësishme për ne”, ka thënë Vinicius.
