Viktor Kovac merr drejtimin e Dardaneve

Trajneri kroat Viktor Kovac është emëruar përzgjedhës i Kombëtares së Kosovës në basketboll në konkurrencën e femrave.

Federata e basketbollit të Kosovës përmes një njoftimi, ka konfirmuar strategun kroat në krye të bankinës së Dardaneve.

“Bazuar në kompetencat e Bordit të Federatës së Basketbollit të Kosovës që dalin nga Statuti i FBK-së, si dhe duke u bazuar në Nenin 31 të rregullores së Përfaqësueseve të Kosovës, Bordi i FBK-së ka marrë vendim që të emërojë trajnerin Viktor Kovac në cilësinë e përzgjedhësit të Përfaqësueses A Femrat të Kosovës”, thuhet në njoftimin e FBK-së.

Sipas këtij njoftimi, Viktor Kovac është trajner nga Kroacia dhe me përvojë të madhe në kampionatin kroat, ndërsa ka qenë edhe përzgjedhës i Kombëtares së Kroacisë (F), kurse së fundi ai e ka udhëhequr KBF Bashkimin në stolisjen me titullin e kampionit për edicionin 2022/23 dhe 2023/24 në Superliga Femrat, si dhe triumfin në Kupë dhe Superkupë në dy edicionet e fundit.

Kroati Kovac do të udhëheq Përfaqësuesen A Femrat të Kosovës në FIBA Kampionatin Evropian për Shtete të Vogla, që do të organizohet në Prishtinë prej 25 deri më 30 qershor 2024. 

Go to TOP