Viktima e aksidentit reklamonte shpejtësinë në TikTok, ishte gjobitur 5 herë në 5 muaj

3 të vdekur dhe 3 të plagosur është bilanci tragjik i aksidentit të ndodhur mbrëmjen e së enjtës, te mbikalimi i TEG-ut në Tiranë. Viktimat janë 3 të rinj; Klevis Ruçaj, 20 vjeç, banues në Fier, i cili ishte duke vozitur dhe dy pasagjeret, Erisilda Abedini, 22 vjeçe dhe Sikela Përroj, 23 vjeçe, të dyja banuese në Tiranë.

Dy vajzat gjetën vdekjen në vendin e ngjarjes, ndërsa shoferi 20-vjeçar disa orë më vonë në Spitalin e Traumës.

Paraprakisht dyshohet se shkak për ngjarjen e rëndë ka qenë shpejtësia tej normave të lejuara.

Mediat në Shqipëri kanë raportuar se 20-vjeçari Klevis Ruçaj kishte vetëm një vit që kishte marrë patentën, gjatë kësaj kohe, ai ishte ndëshkuar 5 herë nga Policia Rrugore, në një hark kohor prej 5 muajsh, nga shtatori deri në janar.

Në mesin e gjobave që kishte marrë ishte për parakalim të gabuar, moszbatim të sinjalistikës, duke i dhënë makinës ndërkohë që ndodhej në telefon, apo duke i dhënë mjetit e pa sigurim.

Klevis Ruçaj e donte shpejtësinë, e kjo dallohet edhe në videot që i riu postonte në rrjetet sociale, “Mos u shqetëso kur i jap makinës me një dorë, por kur i jap me të dyja”, shkruan ai në videot e postuara në rrjete sociale, ndërsa kilometrazhi i makinës shënon 271 km/h.

Një natë më parë, 20-vjeçari dyshohet se ishte me shpejtësi mbi 200 km/h.

Ora ishte vetëm 17:55, kur Audi ku udhëtonin Klevis Ruçaj, Erisilda Abedini dhe Sikela Përroj humbi kontrollin dhe u përplas me barrierat e mbikalimit dhe përfundoi në autostradën Tiranë-Elbasan, duke aksidentuar automjetin tjetër që po kalonte në rrugë

Go to TOP