LAJMET

VIDEO/ Popullariteti i Berishës ‘frikëson qeverinë’, Rama bllokon tubimet

‘Foltorja Demokratike’ e iniciuar nga lideri historik Sali Berisha duket se ka trembur jo vetëm kreun e PD-së Lulzim Basha, por edhe kryeministrin Edi Rama që së fundmi ka vendosur ti jap një dorë, duke thirrur në ndihmë edhe koronavirusin. Vetëm një ditë pas takimit të Berishës me anëtarët në Tiranë, qeveria ka vendosur që të ndalojë tubimet, masë kjo që çuditërisht nuk është sugjeruar nga ekspertët dhe vjen në një kohë që nuk ka thuajse asnjë masë për grumbullimet e tjera.

Vetëm një ditë pasi lideri historik i Partisë Demokratike Sali Berisha nisi aksionin për reformimin e së djathtës, kryeministri Edi Rama vendosi ti vijë në ndihmë kreut të PD-së Lulzim Basha, në kuadër të ofertës për bashkëpunim.

Me një vendim të botuar së fundmi në Fletoren Zyrtare që mban firmën e ministres së Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu, Qeveria ka vendosur që të ndalojë tubimet deri në datën 20 shtator, duke tentuar në këtë formë që të pengojë takimet e Sali Berishës me mbështetësit e PD.

‘Në urdhrin nr. 633, datë 17.11.2020, ‘Për ndalimin e grumbullimeve në vende të mbyllura apo të hapura’, të ndryshuar, bëhet ndryshimi si vijon: Në pikën 1 të urdhrit, togfjalëshi ‘deri në datën 6.9.2021’ zëvendësohet me togfjalëshin ‘deri në datën 20.9.2021’.

Me këtë vendim, në kuadër të flirtit Rama-Basha, kryeministri dhe ministrja e tij e shëndetësisë, nuk e kanë pasur problem as të demaskojnë propagandën e deritanishme me Komitet Ekspertësh. Nëse deri sot, për të marrë vendime, masa shtrënguese apo lehtësuese, qeveria nxirte më parë Komitetin e Ekspertëve, të cilët justifikojnë masat e marra.

Por ketë herë, qeveria nuk ka pasur as nevojën për tu justifikuar ekspertët, duke vendosur kufizim, pa dhënë asnjë arsye shtesë. E kjo masë shtrënguese duket edhe më shumë e pabazuar, për faktin, se është specifikuar grumbullimi për tubimet, ndërkohë që e njëjta gjë nuk ndodh për aktivitetet e tjera si sportive, kulturor apo për jetën e përditshme ku baret dhe restorantet organizojnë ceremoni nga më të ndryshmet.

E nëse kjo do të justifikohej me rritjen e rasteve, kujtojmë që vetëm javën e shkuar, kryeministri Edi Rama dhe Ministrja e Shëndetësisë Ogerta Manastirliu mblodhën Asamblenë e Partisë Socialiste në ambientet e Pallatit të Kongreseve.