Ismaili prezanton planin për Vranidollin dhe 5 zgjidhjet për Prishtinën funksionale
Kandidati për kryetar të Prishtinës, Uran Ismaili, sot ka vazhduar prezantimin e zgjidhjeve të tij për çdo lagje dhe fshat të kryeqytetit, duke u ndalur në fshatin Vranidoll.
Para banorëve të këtij fshati, Ismaili tha se më 12 tetor do të përfundojë epoka e pabarazisë mes qendrës së qytetit dhe fshatrave të Prishtinës. “Banorët e Vranidollit dhe të gjithë fshatrave të tjerë do të marrin trajtimin që e meritojnë,” u shpreh ai.
Në takim, Ismaili prezantoi pesë zgjidhjet e tij që synojnë ta kthejnë Prishtinën në një qytet funksional: zhbllokimin e trafikut brenda 18 muajsh, rrugë të sigurta 24/7, lagje të pastra 24/7, ndalimin e lejeve të reja ndërtimore për 6 muajt e parë dhe Prishtinën e së ardhmes me fokus në teknologji sport dhe kulturë.
Plani i Uran Ismailit për Vranidollin përfshin: krijimin e terreneve sportive për futboll, basketboll dhe volejboll, si dhe hapësira për lojëra fëmijësh; pastrimin dhe rregullimin e Lumit Llap; ndërtimin e sistemit të qëndrueshëm të kanalizimit dhe ujësjellësit; përmirësimin e rrugëve ekzistuese dhe ndërtimin e rrugëve të reja; krijimin e hapësirave të gjelbra dhe rregullimin e zonave të prekura nga përmbytjet; masat për menaxhimin e emergjencave natyrore dhe mbrojtjen e mjedisit; ndërtimin e parkut përgjatë lumit Llap që do ta lidhë Vranidollin me Prugocin dhe Barilevën dhe transport publik modern dhe të sinjalistikës rrugore për rritjen e sigurisë në qarkullim. /Kosova.info/
