Vërshimet, relikt i së kaluarës në Komunën e Vitisë
Ndërsa reshjet e fundit sfiduan shumë zona të vendit, në Komunën e Vitisë dëmet u shmangën.
Përmes menaxhimit mbrojtës dhe punimeve në argjinaturat e lumenjve dhe përrenjve, është arritur mbrojtja e tokave bujqësore, infrastrukturës rrugore dhe ekonomive familjare nga reshjet e fundit.
Mosndotja e shtretërve të lumenjve dhe thellimi i tyre duke i ngritur argjinaturat është perspektiva më e mirë e ndritur që të ruhen tokat bujqësore, infrastruktura dhe ekonomit familjare.
Vërshimet janë parandaluar me punë të përkushtuar, për t’i parandaluar dëmet të cilat ishin më të mëdha sesa grantet dhe subvencionet, thotë Sokol Haliti, kryetar i Vitisë.
“Vitia ka bërë hapa më të mëdhenj në këtë drejtim përskaj gjatësisë së trupës së Moravës, lumit Letnica, rekës së Buzovikut mund të themi që edhe atje jemi duke punuar, e kemi kthyer në përparësi edhe atje i kemi bërë argjinaturat me gurë, shumë kanale e përroska i kemi rregulluar me gurë në Viti duke e përfshirë edhe Gelbushën prandaj në këtë drejtim problematiken e kemi me komuna fqinje”, tha ai.
Jo vetëm përkushtimi institucional do të mjaftonte për krijimin e rrethanave që të parandalohen vërshimet, pasi edhe vetëdijesimi për ruajtjen dhe mosdegradimin e mjedisit është gjithashtu shumë i rëndësishëm, nënvizon Haliti.
“Prandaj mbrojtjen në kontrollë në zhvillime duhet me përkrahë, me investua, duhet me qenë vigjilent, të përgjegjshëm edhe natyrisht edhe vetëdijesimin me shtua për ambient dhe për mjedis te qytetarët, fushata vetëdijesuese shumë ma shumë duhet me zhvillu. Ditët ambientit nuk duhet me i mbajtë vetëm një ditë kur janë ditët botërore, por duhet të jenë në vazhdimësi gjatë tërë vitit”, tha ai.
Mbrojtja e natyrës kërkon angazhim të qëndrueshëm institucional, planifikim profesional dhe respektim të standardeve mjedisore. Përmes veprimit të koordinuar të institucioneve dhe zbatimit të politikave të përgjegjshme, shmangen pasojat që degradimi i mjedisit mund t’u sjellë qytetarëve.
Ruajtja e natyrës përbën një investim publik në sigurinë, stabilitetin dhe zhvillimin e qëndrueshëm të komunitetit, thonë zyrtarët komunalë të Vitisë.
