Vendimi për infrastrukturën e gazit, Hoxhaj: Qeveria ka bërë gabim gjeostrategjik kundër interesave të Kosovës

Ish-ministri i jashtëm i Kosovës, Enver Hoxhaj ka thënë se Qeveria e Kosovës ka bërë një gabim gjeo-strategjik që shkon kundër interesave kryesore të Kosovës.

Përmes një postimi në rrjetin social Twitter, Hoxhaj thekson se të qenit pjesë e projekteve energjetike të mbështetura nga Amerika dhe diversifikimi i furnizimit me energji është thelbësore dhe strategjike për orientimin euroatlantik të Kosovës.

“Qeveria e Kosovës ka bërë një gabim gjeo-strategjik që shkon kundër interesave kryesore të Kosovës. Të qenit pjesë e projekteve energjetike të mbështetura nga Amerika dhe diversifikimi i furnizimit me energji është thelbësore dhe strategjike për orientimin euroatlantik të Kosovës. Vendimi i sotëm është krejtësisht kundër kësaj!”, ka shkruar Hoxhaj.

Ministrja e Ekonomisë e Kosovës, Artane Rizvanolli, njoftoi të enjten se Kosova nuk do ta çojë përpara projektin për ndërtimin e infrastrukturës së gazit në Kosovë, të financuar nga Korporata e Sfidave të Mijëvjeçarit e Qeverisë së SHBA-së (MCC).

Duke folur në një konferencë për media në Prishtinë, Rizvanolli tha se vendimi është marrë pasi Kosova “ka nevojë për më shumë informata, për të qenë e sigurt se ndërtimi i infrastrukturës së gazit është opsioni më i mirë për tranzicionin energjetik”.

Nërkaq, MCC-ja, tha ajo, “ka afate kohore strikte për zhvillim dhe nënshkrim të programit të kompaktit”, u shpreh ajo.

Go to TOP