Fundjavë me diell dhe temperatura deri në 33°C, paralajmërohet indeks i lartë UV
Kosova do të përfshihet nga mot kryesisht i kthjellët dhe i qëndrueshëm gjatë fundjavës, si pasojë e ndikimit të masave ajrore relativisht stabile. Sipas parashikimeve meteorologjike, vendi do të karakterizohet nga intervale të gjata me diell dhe vranësira të pakta.
Kushtet biometeorologjike do të jenë përgjithësisht të favorshme për shumicën e qytetarëve, megjithatë temperaturat e larta gjatë orëve të mesditës mund të shkaktojnë lodhje dhe shqetësime te personat më të ndjeshëm.
Edhe kushtet agrometeorologjike vlerësohen të mira për zhvillimin e kulturave bujqësore dhe realizimin e punimeve sezonale në fushë. Temperaturat e përshtatshme dhe lagështia e mbetur në tokë nga reshjet e ditëve të fundit do të krijojnë kushte të favorshme për vegjetacionin. Meteorologët bëjnë të ditur se gjatë javës së ardhshme priten reshje shiu, prandaj nuk parashihet rrezik i theksuar nga mungesa e lagështisë në tokë.
Ndërkohë, indeksi UV do të mbetet i lartë gjatë fundjavës. Qytetarëve u rekomandohet të shmangin ekspozimin e zgjatur në diell nga ora 10:00 deri në 16:00, veçanërisht fëmijët, të moshuarit dhe personat që punojnë në ambiente të hapura.
Të shtunën, më 20 qershor, moti do të jetë kryesisht me diell dhe me vranësira të shpërndara. Temperaturat minimale do të lëvizin ndërmjet 10 dhe 13 gradë Celsius, ndërsa ato maksimale do të arrijnë nga 28 deri në 33 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja dhe veriperëndimi me shpejtësi 1 deri në 5 metra në sekondë.
Edhe të dielën, më 21 qershor, parashihet mot me diell dhe pjesërisht i vranët. Temperaturat minimale do të mbeten ndërmjet 10 dhe 13 gradë Celsius, ndërsa maksimalet do të variojnë nga 28 deri në 32 gradë Celsius. Era do të fryjë nga verilindja me shpejtësi 1 deri në 6 metra në sekondë. /Kosova.info/
| Komuna (Qyteti) | 20.06.2026 | 21.06..2026 | ||
| Temp. Min. 0C | Temp. Max. 70C | Temp. Min. 0C | Temp. Max. 0C | |
| Prishtinë | 12 | 32 | 12 | 32 |
| Pejë | 12 | 32 | 12 | 32 |
| Prizren | 13 | 33 | 13 | 33 |
| Gjakovë | 13 | 33 | 13 | 33 |
| Istog | 13 | 33 | 13 | 33 |
| Junik | 12 | 33 | 12 | 32 |
| Dragash | 10 | 28 | 10 | 28 |
| Ferizaj | 11 | 31 | 11 | 31 |
| Gjilan | 11 | 31 | 11 | 31 |
| Kamenicë | 11 | 32 | 11 | 32 |
| Besianë | 11 | 31 | 11 | 32 |
| Mitrovicë | 12 | 3 | 12 | 32 |
| Malishevë | 12 | 33 | 12 | 31 |
