Vehbi Miftari prezanton studimin e parë tipografik për “Mesharin” e Gjon Buzukut në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë
Në Akademinë e Shkencave të Shqipërisë, në bashkëpunim me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë, u mbajt sot një ligjëratë e veçantë nga prof. dr. Vehbi Miftari, kushtuar historisë së zbulimit, studimit dhe ruajtjes së ekzemplarit të vetëm të njohur deri më sot të “Mesharit” të Gjon Buzukut, si dhe vlerave të tij për historinë e gjuhës shqipe, kulturën e shkruar dhe identitetin kombëtar.
Në emër të Kryesisë së Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, të pranishmit i përshëndeti zëvendëskryetari, akademik Vasil Tole, i cili vlerësoi rëndësinë e veçantë të “Mesharit” në traditën e studimeve albanologjike dhe kontributin e vazhdueshëm të kërkimit shkencor për ndriçimin e aspekteve të reja të kësaj vepre themelore.
Duke vlerësuar librin më të fundit të prof. dr. Vehbi Miftarit, “Meshari i (pa)njohur”, akademik Tole theksoi se “Meshari” mbetet një nga veprat më të studiuara të gjuhës shqipe, që nga themeluesit e gjuhësisë shqiptare e deri në ditët e sotme. Ai nënvizoi se Akademia e Shkencave e çmon faktin që për vepra të tilla themelore vazhdon të shkruhet dhe të hulumtohet.
Gjithashtu, Tole vlerësoi bashkëpunimin me Bibliotekën Kombëtare të Shqipërisë dhe prezantoi disa nga projektet kryesore shkencore që po zhvillohen në Akademinë e Shkencave, si “Enciklopedia Shqiptare”, “Historia e Shqiptarëve” dhe “Fjalori i Madh i Gjuhës Shqipe”, i cili tashmë është i qasshëm online.
Drejtoresha e Bibliotekës Kombëtare të Shqipërisë, Majlinda Toçi, në fjalën e saj përshëndetëse theksoi se “Meshari” i Gjon Buzukut është një nga monumentet më të rëndësishme të kulturës dhe identitetit shqiptar duke mbetur një objekt i rëndësishëm i kërkimit shkencor. Ajo vuri në pah rëndësinë e bashkëpunimit ndërinstitucional për ruajtjen, studimin dhe promovimin e trashëgimisë së shkruar shqiptare, si dhe bëri të ditur se Biblioteka Apostolike e Vatikanit kishte përcjellë një mesazh përshëndetës me rastin e kësaj veprimtarie.
Në fjalën e tij, prof. dr. Vehbi Miftari falënderoi Akademinë e Shkencave për organizimin dhe mbështetjen e aktivitetit duke e cilësuar “Mesharin” si një monument kulture që mbetet themel i identitetit gjuhësor dhe kulturor të shqiptarëve. Ai theksoi se është nder dhe kënaqësi të kontribuojë në avancimin e studimeve albanologjike, veçanërisht atyre që lidhen me këtë vepër monumentale të gjuhës shqipe.
Gjatë ligjëratës, Miftari prezantoi rezultatet e studimit të parë tipografik mbi ekzemplarin unik të “Mesharit” të Gjon Buzukut, i ruajtur në Bibliotekën Apostolike të Vatikanit. Studimi, i realizuar gjatë viteve 2024-2026, ka identifikuar shkronjat dhe elementet grafike që dëshmojnë përdorimin e një alfabeti origjinal dhe të pajisjeve tipografike të kohës duke hedhur dritë të re mbi bazat tipografike të librit të parë të botuar në gjuhën shqipe në vitin 1555.
Sipas studiuesit, analiza ofron të dhëna të rëndësishme shkencore edhe mbi teknikën e shtypshkrimit, kaligrafinë e përshtatur për shtyp, llojin e shkronjave – tipat latine gjysmë-gotike – si dhe mënyrën e kompozimit të faqeve nga punishtet tipografike të shekullit të XVI.
Me rastin e kësaj veprimtarie, Biblioteka Kombëtare e Shqipërisë ekspozoi për publikun edhe kopjen e “Mesharit”, dhuratë e Papa Françeskut I duke u mundësuar të pranishmëve të njihen nga afër me këtë dëshmi të rrallë dhe të çmuar të kulturës së shkruar shqiptare.
