Veç t’kuptohemi!

Shkruan: Nexhat HAZIRI

Fjalimi e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Këshillin e Evropës sikur ka ndezur opinionin edhe në Kosovë ku palët varësisht simpatisë apo jo ndaj kryeministrit shqiptar Rama, kan shprehur edhe mendimet e tyre pro dhe kundër këtij fjalimi, e që nuk do të duhej të shihej në formën “bardh e zi”.

Sa i përket raportit Dick Martyn i cili shërbeu si bazë për ngritjen e Gjykatës speciale të Kosovës, pas pretendimeve se krerët e UÇK ishin të përfshirë në një trafik organesh të robërve serb të luftës, që ishte pjesë e stisur dhe e gërditshme në këtë raport  si një tregim fantastik kur “dy budallenj marrin dy skallpër dhe bëjnë transplantim organesh”, e që nuk u faktua asnjëherë dhe tashmë nuk është as pjesë e aktakuzës kundër ish-krerëve të UÇK-së që gjenden në paraburgim në Gjykatën Speciale të Kosovës në Hagë.

Kërkesa e kryeministrit shqiptar Rama që Këshilli i Evropës ta rishikoj këtë raport që ka të bëjë me trafikimin e organeve ishte vërtetë një fjalim dhe kërkesë e dinjitetshme nga kryeministri Rama, dhe KiE-së duhet vërtetë ta rishikoj këtë pjesë të raportit Marty dhe ta përmirësoj gabimin e vet.

 Por, duhet te kuptohemi, se raportit Dick Martyt, nuk ka të bëjë vetëm me trafikim organesh, por edhe me krime te tjera, siç janë vrasjet të cilat edhe kanë ndodhur. Nuk duhet harruar se afër 80 aktivistë dhe zyrtar të lartë të LDK-së janë vrarë gjatë periudhës së luftës dhe pas saj, janë vrarë e kidnapuar edhe pjesëtarë të komuniteteve të tjera serb e rom, kanë ekzistuar edhe burgjet e UÇK-së  të ashtuquajturat qendrat e ndalimit, ku janë maltretuar, vrarë dhe më pas zhdukur personat e ndaluar edhe shqiptarë aktivistë të LDK-së gjatë luftës në Kosovë.

Pra krimet kanë ndodhur, viktimat dihen dhe këta meritojnë drejtësi. Fundi, fundit, Gjykata Speciale është e Kosovës, dhe si një institucion i drejtësisë duhet përkrahur dhe respektuar, pa ndërhyrje politike pasi shoqëria e jonë po ashtu ka të drejtë ta di të vërtetën për një pjesë të errët të historisë së luftës tonë.

Ndërsa pjesa tjetër e fjalimit të kryeministrit Rama ishte në stilin e tij, pra ishte Rama vet, ai që kërkon në çdo rast protaganizëm, të jetë i vetmi në qendër dhe të tjerët në periferi,  ta ketë vëmendjen e tyre, që ata ta duartrokasin dhe të ekzaltohen me fjalimet e tij, që të tallët me kundërshtarët e vet politik, që është karakteristik për politikan apo lider egocentrik, por duke harruar se  është në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës, e jo në Kuvendin e Shqipërisë e as në ndonjë tribunë të Partisë Socialiste, në vendin ku e ka nënshtruar një shoqëri të tërë. Por kjo është një çështje tjetër, për të cilën duhet të mbajnë shënim opinionbërsit politik në Tiranës.

Go to TOP