Vazhdon dëshminë në seancë private dëshmitari i 99-të në rastin Thaçi dhe të tjerët
Në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, të martën po vazhdon dëshminë dëshmitari i 99-të i Zyrës së Prokurorit të Specializuar, i njohur me kodin W04854, në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Dëshmia e këtij dëshmitari po zhvillohet në një seancë të mbyllur për publikun dhe është nën pyetjet e mbrojtjes së Selimit, përfaqësuar nga avokati Eric Tully.
Ky dëshmitar po dëshmon përmes video-lidhjes, duke qenë i shoqëruar nga një përfaqësues për ‘dhënien e informacionit’. Ai filloi dëshminë të hënën, pas dëshmisë së Fatmir Sopit, i cili dëshmoi në seancë publike.
Gjatë kësaj jave pritet të dëshmojnë edhe tre dëshmitarë të tjerë.
Zyra e Prokurorit të Specializuar ka dorëzuar më 30 shtator 2022 aktakuzën e konfirmuar dhe të ndryshuar kundër Thaçit, Veselit, Krasniqit dhe Selimit, me dhjetë akuza për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Më parë, më 29 prill 2022, kjo zyrë kishte paraqitur një aktakuzë të ndryshuar që përfshinte krime të dyshuara në Gjilan, Budakovë dhe Semetishtë.
Në paraqitjet e tyre fillestare në nëntor të vitit 2020, Jakup Krasniqi, Hashim Thaçi, Kadri Veseli dhe Rexhep Selimi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u janë ngritur. Aktakuza është konfirmuar më 26 tetor 2020.
