Vazhdojnë zjarret në malet e Gjakovës
Zjarret që kanë shpërthyer në Babaj të Bokës në komunën e Gjakovës ende nuk janë shuar. Ekipet e zjarrfikësve, ata të FSK-së dhe KFOR-i po mundohen t’i shuajnë zjarret, por deri tani një gjë e tillë ka qenë e pamundur.
Janë bërë katër ditë që kur malet sipër fshatit Babaj i Bokës janë në flakë. Pjesa më e madhe e të cilave janë në Zonën e Poligonit ushtarak të Forcës së Sigurisë së Kosovës.
Zjarri tashmë ka kapluar një pjesë të konsiderueshme të Bokave, ka depërtuar edhe në pjesën sipër fshatit Devë ku ekipet e zjarrfikësve të mbështetura edhe nga pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës dhe ata të KFOR-it janë duke e bërë të pamundurën që të shuajnë zjarrin.
Në zonën e përfshirë nga flakët krahas ekipeve zjarrfikësve nga Brigada e Gjakovës dhe Forcës së Sigurisë, gjatë tërë ditës ushtarët e KFOR-it kanë hedhur ujë nga helikopteri në përpjekje për të shuar zjarrin.
“Është duke u djegur vazhdimisht këtej edhe ne me njësitë tona me të gjitha mekanizmat jemi të angazhuar deri sot. Edhe NATO me tre helikopterë ka vepruar në këtë zonë duke e shuar zjarrin”, tha Xhevdet Brahimaj, komandant i Njësisë së Zjarrfikësve në Gjakovë.
Tymi i krijuar nga zjarri i pandërprerë ka përfshirë shumë fshatra të Rekës së Keqe duke ju krijuar edhe vështirësi. Ata janë shprehur të gatshëm që të ndihmojnë në shuarjen e zjarrit mirëpo siç thonë ata deri më tash nuk iu është lejuar një gjë e tillë.
“Tash është zonë ushtarake këtu po është vendi i jonë. Ushtria jonë edhe KFOR-i po bëjnë përpjekje po është dashtë me marrë një iniciativë edhe me fshatin edhe me fshatrat tjera e me ushtrinë e policinë e me ndalë at zjarr se ajo po na shkakton dëm banorëve të fshatit se nuk mundemi të flemë as natën prej tymit”, tha Ramë Tali, banor nga Babaj i Bokës.
“Në mbrëmje nuk kemi ku dalim prej tymi, na pengon shumë këtu në fshatin tonë, nuk kemi mundësi as t’i hapim dritaret për shkak të tymit. Këtu duhet sa më shpejt të merren masa”, thotë Erblin Mustafa, banor.
Sipas informacioneve nga terreni zjarri tashmë ka depërtuar edhe në pjesën e maleve në Zogaj, ndërsa më të rrezikuar janë disa fshatra të Rekës së Keqe fare pran vatrave të zjarrit.