Varrosen viktimat e Shëngjinit
Leonit Aliu dhe Jetmir Binaku, që humbën jetën në detin e Shëngjinit pas përfshirjes nga dallgët e forta, janë varrosur në vendlindjet e tyre në Rezallë të Skenderajt dhe në Gllobar të Drenasit. Trupat e pajetë u sollën në Kosovë një ditë pas ngjarjes tragjike që tronditi familjet dhe opinionin publik. Ndërkohë, tre të rinjtë e tjerë që u shpëtuan pas incidentit, ndodhen në gjendje të qëndrueshme shëndetësore.
Dy të rinj që humbën jetën dy ditë më parë në zonën e Ranës së Hedhur në Shëngjin, pasi u përfshinë nga dallgët e forta të detit, Leonit Aliu dhe Jetmir Binaku, u varrosën në mesditë në fshatrat e tyre të lindjes, në Rezallë të Skenderajt dhe Gllobar të Drenasit.
Trupat e tyre arritën dje në Kosovë, ndërsa bëhet e ditur se tre të rinjtë e tjerë, që u shpëtuan nga qytetarët, në bashkëpunim me policinë, janë në gjendje të qëndrueshme, pas trajtimit mjekësor në Spitalin Rajonal të Lezhës.
Njëri nga familjarët ka rrëfyer se si e morën lajmin për vdekjen e tyre.
“Na ka informuar policia se rasti veç ka ndodhur. Na kanë shprehur ngushëllime dhe na kanë vënë në kontakt me ambasadën e Kosovës në Shqipëri”, tha Musa Binaku, familjar i Jetmir Binakut.
Ngjarja tragjike ndodhi të mërkurën, pasdite, kur pesë të rinj kosovarë kishin hyrë në det, por dy prej tyre nuk arritën të mbijetonin, ndërsa tre të tjerët u dërguan në spital për trajtim. Dion Myftari, Arbër Beqaj dhe Drilon Rrustemi janë jashtë rrezikut për jetë.
