Përurohet Kulla e Lirisë në Dobërdolan të Suharekës
Ish-komandantë të Zonave Operative të luftës së UÇK-së, familjarë të dëshmorëve, veteranë të luftës, përfaqësues diplomatikë dhe qytetarë të shumtë, morën pjesë në përurimin e Kullës së Lirisë në fshatin Dobërdolan, fshat që në fundvitet 90-ta ishte strehë e sigurt e djemve të UÇK-së.
Në fshatin Dobërdolan të Suharekës, u përurua Kulla e Lirisë, që do të shërbejë jo vetëm shenjë e heroizmit të luftës heroike të UÇK-së, por edhe si shtëpi muze për brezat e ardhshëm, që të njihen me rrugëtimin historik të shtetit të Kosovës.
Në përurimin e Kullës, morën pjesë organizata të dala nga lufta, ish komandant të UÇK-së, ambasador të vendeve mike të Kosovës, dhe qytetarë të shumtë.
“Kulla që përurojmë sot, nuk është vetëm një memorial, por një simbol i qëndresës së Kosovës për liri”, tha ambasadori i Shqipërisë në Kosovë Petrit Malaj.
“Në këtë kullë, do të jetojë shpirti i rezistencës së të gjithë luftëtarëve”, tha zëvendës komandanti i FSK-së Enver Cikaqi.
Kjo është Kulla e shtatë e Lirisë që ngrihet në komunën e Suharekës, ku në vendin e çdo kulle, ka një fushëbetejë, ka simbolikën e luftës së vazhdueshme të popullit të Kosovës për lirinë e vendit,thanë kryetari i Suharekës dhe ish komandantët e luftës së UÇK-së.
