Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë feston 13-vjetorin e themelimit
Universiteti “Haxhi Zeka” në Pejë shënon sot 13-vjetorin e themelimit, një datë që përfaqëson përkushtimin ndaj arsimit cilësor dhe avancimit shkencor.
Ky përvjetor, sipas universitetit, simbolizon angazhimin e personelit akademik dhe administrativ, si dhe përpjekjet e studentëve, të cilët kanë arritur rezultate të jashtëzakonshme dhe kanë kontribuar në zhvillimin e qëndrueshëm të institucionit.
Ata, nëpërmjet një postimi në Facebook, kanë theksuar se partneriteti i krijuar në këto 13 vite me institucione akademike dhe kërkimore, si brenda ashtu edhe jashtë vendit, iu ka mundësuar atyre një larmi programesh që mbështesin zhvillimin e mëtejshëm të universitetit.
“Në këto 13 vitet e para të jetës kemi krijuar partneritete me institucione akademike, kërkimore në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, kemi zhvilluar një ofertë të gjerë, të larmishme të programeve studimore për t’iu përgjigjur nevojave të një tregu pune gjithnjë e më kompleks dhe në zhvillim të vazhdueshëm. Falë një vizioni largpamës dhe angazhimit të vazhdueshëm ndaj përsosmërisë dhe inovacionit, universiteti ynë është kthyer në një pikë referimi”, kanë shkruar ndër të tjera përfaqësuesit e Universitetit “Haxhi Zeka”.
Në kuadër të këtij përvjetori, universiteti do të organizojë një tubim më 15 nëntor 2024 për të kremtuar arritjet dhe për të reflektuar mbi të ardhmen e institucionit.