Ukraina thotë se ka goditur një depo nafte dhe një stacion radari në Rusi

Ukraina tha të premten se i ka goditur një depo të naftës dhe një stacioni radari të mbrojtjes ajrore brenda Rusisë.

Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë së Ukrainës tha se sulmi ndaj depos së naftës Atlas në rajonin Rostov të Rusisë, shkaktoi zjarr në objekt. Kjo rafineri ishte goditur nga një sulm i ngjashëm më herët gjatë këtij viti.

“Atlasi është pjesë e kompleksit ushtarak-industrial të Rusisë, i cili e furnizon me produkte të naftës ushtrinë e Federatës Ruse”, tha ky shtab në një komunikatë në rrjetet sociale.

Në njoftim thuhet se një stacion radari, i cili kishte sistem kundërajror rus Buk-M3, u shkatërrua nga një sulm tjetër në zonën e kontrolluar nga Rusia në juglindje të rajonit Zaporizhja të Ukrainës.

Yury Slyusar, guvernatori në detyrë i rajonit të Rostovit, e pranoi se shpërtheu një zjarr në një “kompleks industrial” në zonën ku ndodhet rafineria, duke thënë se më shumë se 100 zjarrfikës po luftonin për ta shuar atë.

Për muaj me radhë, Rusia i ka bombarduar qytetet ukrainase me sulme gjithnjë e më të rënda me dronë, raketa dhe bomba, duke shkaktuar viktima dhe dëme në infrastrukturën energjetike.

Ukraina ka kryer disa kundërsulme prej kur administrata e presidentit amerikan, Joe Biden dhe aleatët evropianë të Kievit i dhanë leje asaj t’i përdorë raketat me rreze të gjatë veprimi kundër objektivave brenda Rusisë.

Gjatë fushatës presidenciale të vitit 2024, presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, e kritikoi Bidenin për derdhjen e miliarda dollarëve në Ukrainë për ta ndihmuar atë të luftojë. Trump, i cili do ta marrë detyrën në janar, ka thënë gjithashtu se mund t’i japë fund luftës brenda 24 orëve. Deklaratë e tij është interpretuar si një sugjerim se Ukraina mund të detyrohet të dorëzojë territorin që aktualisht kontrollohet nga Rusia.

Kjo duket se i ka nxitur si Moskën ashtu edhe Kievin që të përpiqen t’i forcojnë pozicionet gjeografike para se Trump ta marrë detyrën në janar.

Sulmet e intensifikuara të Rusisë kanë pasur në shënjestër infrastrukturën energjetike, duke çuar në ndërprerje emergjente të energjisë elektrike në shumë rajone, përfshirë Kievin, Odesën, Dnipropetrovskin dhe Donjeckun.

Raportohet se Kievi është detyruar gjithashtu t‘i shkëpusë nga rrjeti elektrik disa njësi të centraleve bërthamore gjatë sulmeve. Ukraina e prodhon më shumë se gjysmën e energjisë elektrike nga centralet bërthamore.

Sulmi ndodhi në një ditë kur temperatura në të gjithë Ukrainën kanë rënë nën zero gradë.

Go to TOP