U shënua 21 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Pyjeve

Nën organizimin e Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural në bashkëpunim me Organizatën e Kombeve të Bashkuara për Ushqim dhe Bujqësi – FAO sot u shënua 21 Marsi – Dita Ndërkombëtare e Pyjeve e cila këtë vit mbajti temën “Pyjet dhe Inovacioni: Zgjidhje e re për një botë më të mirë”. Kjo ditë u festua në pyjet e Blinajës duke prezantuar teknologjitë dhe inovacionet e fundit që transformojnë mundësit dhe efikasitetin në monitorimin dhe menaxhimin e resurseve pyjore.

Ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillim Rural, Faton Peci, tha se Kosova po i bashkohet festës globale në shënimin e ditës ndërkombëtare të pyjeve, si festë e shpallur nga Kombet e Bashkuara dhe që ka për qëllim ngritjen e vetëdijes së përgjithshme rreth rolit dhe rëndësisë së pyjeve.

“Këtë vit, tema e caktuar për shënimin e kësaj dite është “Pyjet dhe Inovacioni: Zgjidhje e re për një botë më të mirë”, prandaj edhe ne do të shohim se cilat janë mundësitë inovative për mbrojtjen dhe ruajtjen e pyjeve tona”, tha Ministri Peci.

Pjesëmarrësit në këtë ngjarje, ekspertë dhe profesionistë të pyjeve, studentë, zyrtarë, njohës dhe dashamirë të pyjeve patën mundësinë shohin demonstrimin e teknologjisë inovative që posedon Agjencia e Pyjeve të Kosovës, dhe që shërbejnë në planifikimin, monitorimin dhe shfrytëzimin e pyjeve, zhvillimin e analizave dhe vlerësimin e sipërfaqeve të caktuara pyjore, si dhe përparësitë që ato sjellin në realizimin e aktiviteteve të përditshme në sektorin e pylltarisë.

Gjatë programit të shënimit të ditës ndërkombëtare të pyjeve është bërë edhe demonstrimi praktik i funksioneve dhe përdorimi i dronëve, dylbive të natës, GPS-ve, kamerave kurth dhe matjeve në pylltari. Ky demonstrim u realizua me mbështetjen e ekspertëve të programit që FAO po e zbaton në Kosovë i titulluar “Mbështetje për fuqizimin e menaxhimit të qëndrueshëm dhe shumë-qëllimor të pyjeve për përmirësimin e jetës rurale dhe adresimin e ndryshimeve klimatike në Kosovë”. 

Ndryshe, ky program që po e zbaton FAO në bashkëpunim me MBPZhR dhe Agjencinë e Pyjeve të Kosovës, financohet nga Bashkimi Evropian dhe Suedia dhe ka për qëllim krijimin e kapaciteteve për menaxhimin e qëndrueshëm të pyjeve në Kosovë. /Kosova.info/

Go to TOP