U mori mijëra euro, si i mashtroi zyrtari komunal banorët e Fushë Kosovës?

Derisa ishte duke punuar në kontrollën teknike të automjeteve, Hamdi Konjushës i erdhi vetura e një zyrtari komunal për kontroll.

Ky i fundit ishte Ilir Kransiqi, punëtor në drejtorinë e Arsimit në Fushë Kosovë.

Aty Krasniqi i erdhi Konjushës me një ofertë.

Duke i besuar fjalëve të zyrtarit se përmes konkursit të komunës do ta sigurojë një lopë, Konjusha ia dha plot 400 euro.

I njëjti vetëm ia mori paratë, ndërkaq lopën nuk e pa Konjusha asnjëherë.

Kësisoj ai iu drejtua organeve policore, për mashtrimin që ia kishte bërë Ilir Krasniqi.

Por keqpërdorimi që dyshohet të ketë kryer Krasniqi, nuk mbeti pa dënim.

Kjo sepse ai u arrestua nga Policia gjatë së hënës.

E si duket, personat të cilët ranë pre e mashtrimeve të tij, janë të shumtë në numër.

Edhe fermeri Skender Breznica thotë se ka shkuar në polici, pasi që Ilir Krasniqi e ka mashtruar duke ia marrë 4 mijë euro.

Tash, i dyshuari nuk ndodhet më në hapësirat e komunës, në të cilën kishte punuar për më shumë se 10 vite.

Zëdhënësi i komunës, Ali Topalli, shton se do të ketë masa disiplinore ndaj zyrtarit që dyshohet të ketë mashtruar banorët.

I njëjti zyrtar dyshohej që kishte marrë një veturë me qira, e kishte tentuar të ia shesë pjesët veturës.

Go to TOP