U.d. i Kryeprokurorit të Shtetit inkurajon kryeprokurorët dhe prokurorët që t’i japin përparësi zgjidhjes së rasteve përmes procedurës së ndërmjetësimit
Me ftesë të kryetarit të Gjykatës Supreme të Kosovës, z. Fejzullah Rexhepi, u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit, z. Besim Kelmendi, së bashku me kryeprokurorët e prokurorive, ka marrë pjesë në ngjarjen e organizuar nga Gjykata Supreme e Kosovës me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Ndërmjetësimit, transmeton Kosova.info.
Duke folur për rëndësinë e institutit të ndërmjetësimit në sistemin gjyqësor, ku bën pjesë edhe institucioni i Prokurorit të Shtetit, ai theksoi se kanë inkurajuar kryeprokurorët dhe të gjithë prokurorët që, gjatë ushtrimit të detyrës, të përdorin procedurat alternative, veçanërisht ndërmjetësimin, ashtu siç parashihet me Kodin e Procedurës Penale dhe Ligjin për Ndërmjetësim.
Sipas u.d. të Kryeprokurorit Kelmendi, “kjo është e dobishme edhe për qytetarët e Republikës së Kosovës, pasi zgjidhja e rasteve përmes ndërmjetësimit iu mundëson atyre të mos evidentohen si persona të dënuar në evidencat penale. Për më tepër, kjo procedurë ka efekte shumë pozitive, është efikase dhe praktike, sepse kursen kohën dhe zvogëlon koston e shpenzimeve për palët në procedurë”.
Në fund, u.d. i Kryeprokurorit të Shtetit deklaroi se “në këtë ditë të veçantë të ndërmjetësimit, u bëj thirrje të gjithë kryeprokurorëve, prokurorëve, kryetarëve të gjykatave dhe gjyqtarëve që ta kenë parasysh dhe t’i japin përparësi procedurës së ndërmjetësimit, sepse në këtë mënyrë kontribuohet në ruajtjen e raporteve të mira ndërnjerëzore mes palëve të përfshira në procedurë”./Kosova.info/
