TUNGJATJETA

Shkruan: Pal ShTUFI

Sa fjalë humane që është. Fjalë që përcjell shëndet, dashuri e jetë te tjetri. Te njeriu i huaj ose i yti, nuk ka dallim.

Domethënë, kur i thua tjetrit tungjatjeta, atij nuk i ke bërë vetëm një përshëndetje të ngrohtë, por ia ke dëshiruar më të mirën dhe më të shtrenjtën që njeh qenia: JETËGJATËSINË.

T’U ZGJATTË JETA / TUNGJATJETA e gjuhës shqipe flet edhe njëherë për fuqinë e fjalës shqipe, e cila krejt humanisht është natyralizuar me tokën, ujin, ajrin dhe jetën tonë.

Edhe shkurtesa TUNG është gjetje e ëmbël dhe praktike. Me katër shkronja i ngërthen të gjitha ato që e karakterizojnë këtë përshëndetje unikate.

Vërtet madhështi që kemi këtë gjuhë, e cila largon vdekjen e qenies duke uruar jetëgjatësinë e saj – në secilin segment të kohës: në mëngjes, drekë apo darkë.

Sa të bekuar që jemi me këtë trashëgimi të vjetër sa toka.

* * *

Sot është Dita Botërore e Gjuhës Amtare, prandaj po i themi edhe kësaj dite TUNGJATJETA!

Go to TOP