Trusti pa bord që katër muaj – të mërkurën nis puna për emërimin e tij 

Hendekut të Bordit në Fondin Pensional të Kosovës mund t’i vijë fundi së shpejti.

Të mërkurën, në Komisionin për Buxhet në Kuvend, pritet të shqyrtohen propozimet për anëtarët e Bordit të Trustit.

Ky institucion ka mbetur pa trupën vendimmarrëse që nga 1 marsi. Ndërsa tash, në listën e Komisionit Përzgjedhës ka propozuar pesë emra.

Në konkurs kanë aplikuar 60 persona, ndërsa janë përzgjedhur: Emanuel Bajra, Shpresim Vranovci, Mimoza Mustafa, Cyril Demaria-Bengochea dhe Trim Shala.

Banka Qendrore dhe Qeveria nuk treguan kur pritet të funksionalizohet bordi, duke ia lënë tash procesin në dorë Kuvendit.

“Javën e kaluar i janë përcjellë Kuvendit pesë emra për anëtarë të Bordit. Të mërkurën, Komisioni për Buxhet dhe Financa pritet që t’i shqyrtojë propozimet e dorëzuara, për të vazhduar pastaj me procedurat e parapara të Kuvendit”, thuhet në përgjigjen e Qeverisë për Klan Kosova.

Ekonomisti Safet Gërxhaliu thotë se periudha katërmujore pa Bord në Trust ka qenë e rrezikshme për kontributet e qytetarëve. Ky thotë se Bordi duhet të funksionalizohet sa më shpejt, që t’i rishqyrtojë aksionet në tregjet ndërkombëtare.

Nga Trusti i kanë treguar Klanit se ka bilanc pozitiv në dy kuletat. Portofoli standard është +0.79%, kurse ai konservativ +1.53%.

Go to TOP