Trump këmbëngul për Grenlandën, kritikon aleatët evropianë
Presidenti amerikan Donald Trump vazhdon të insistojë në qëndrimin e tij për Grenlandën, duke mos kursyer kritikat ndaj aleatëve evropianë.
Presidenti i SHBA-së, Donald Trump, ka paralajmëruar se këtë javë, në forumin e Davosit në Zvicër, do t’u thotë udhëheqësve evropianë se Shtetet e Bashkuara duhet ta kenë Grenlandën.
Në rrjetet sociale, Trump ka publikuar një mesazh, që sipas tij vjen nga presidenti francez Emmanuel Macron, në të cilin thuhet: “Nuk e kuptoj se çfarë po bëni me Grenlandën.” Ai po ashtu ka postuar një mesazh që pretendon se është nga sekretari i përgjithshëm i NATO-s, si dhe ka shpërndarë imazhe të gjeneruara ku shfaqet duke vendosur një flamur amerikan në Grenlandë.
Të shtunën, Trump ka kërcënuar tetë aleatë evropianë, përfshirë Mbretërinë e Bashkuar dhe Danimarkën, me tarifa prej 10 për qind, nëse nuk arrihet një marrëveshje për Grenlandën.
Ndërkohë, kryeministri i Grenlandës ka deklaruar se vendi i tij “nuk do të lejojë të vihet nën presion”, ndërsa aleatët evropianë janë mbledhur për të mbrojtur territorin gjysmë-autonom danez.
Presidenti Trump ka komentuar gjithashtu planin e Mbretërisë së Bashkuar për t’ia dorëzuar sovranitetin e Ishujve Chagos Mauritiusit, duke e cilësuar atë si një “akt të madh marrëzie”, ndonëse administrata e tij fillimisht e kishte mbështetur marrëveshjen, duke e quajtur monumentale.
Sipas Trumpit, kjo marrëveshje – sipas së cilës Mbretëria e Bashkuar do të paguante qira për një bazë ushtarake, ndërkohë që do të dorëzonte sovranitetin – është një nga arsyet pse ai dëshiron që SHBA-të të marrin përsipër Grenlandën.
“Çuditërisht, aleati ynë ‘i shkëlqyer’ i NATO-s, Mbretëria e Bashkuar, aktualisht po planifikon t’ia japë ishullin Diego Garcia, vendin e një baze ushtarake thelbësore amerikane, Mauritiusit, dhe ta bëjë këtë pa asnjë arsye”, ka shkruar Trump.
Kryeministri britanik, Sir Keir Starmer, ka deklaruar se qiraja 99-vjeçare e bazës ushtarake Britani–SHBA, pas dorëzimit të sovranitetit, do t’i kushtojë Mbretërisë së Bashkuar 101 milionë paund në vit.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka bërë të ditur se po vazhdon angazhimin “në të gjitha nivelet” me Shtetet e Bashkuara, por njëkohësisht po shqyrton një sërë kundërmasash në rast se Trump vendos tarifa të reja ndaj bllokut evropian.
