Tri koalicione parazgjedhore zyrtarizohen në KQZ

Komisionin Qendror i Zgjedhjeve ka njoftuar se deri të enjten janë zyrtarizuar tri koalicione parazgjedhore për zgjedhjet e përgjithshme të 9 shkurtit 2025. 

Ky institucion ka njoftuar se partitë që kanë formuar koalicione parazgjedhore janë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me Nismën Socialdemokrate, Listën Konservatore dhe Forumin Intelektual E-30.

Një koalicion tjetër është formuar mes Partisë Demokratike të Unitetit dhe Iniciativës Balli, si dhe partive Naša Inicijativa dhe Bošnjačka Stranka Kosova.

Periudha për deklarimin e partive politike për formimin e koalicioneve parazgjedhore do të zgjasë deri të premten. 

Në mbledhjen e 46-të, KQZ-ja ka marrë vendim për miratim të listës së qendrave të votimit në përfaqësi diplomatike, numrit të vendvotimeve dhe numrit maksimal të votuesve në secilën prej tyre, të cilët mund të regjistrohen për të votuar në zgjedhje. 

“Sipas Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme, votimi në përfaqësi diplomatike organizohet një ditë para ditës së zgjedhjeve në Kosovë, pra më 8 shkurt 2025, nga ora 07:00 deri në orën 19:00, sipas orës lokale të vendit përkatës”, ka thënë zëdhënësi i KQZ-së, Valmir Elezi. 

Go to TOP