Tre milionë euro dëme nga vërshimet në Komunën e Podujevës
Kuvendi i Komunës së Podujevës ka miratuar raportin final për vlerësimin e dëmeve të shkaktuara nga vërshimet na janar të këtij viti, të cilat kapin vlerën e mbi 3 milionë eurove. Banorët kanë rrëfyer për RTK-në për pasojat që lanë pas vërshimet.
Shiut ia kanë frikën sa herë që reshjet janë të dendura. Kjo për shkak të vërshimeve të cilat gjatë muajit janar u shkaktuan dëme të mëdha banorëve të fshatit Pakashticë e Epërme.
Pajisje shtëpiake, të mbjella e ushqime të bagëtive, iu dëmtuan Shaban Hysenit nga ky fshat. Një pjesë të tyre i është dashur t?i rregullojë vetë, e për një pjesë ai po pret ndihmën e shtetit.
Pasojat që lanë vërshimet vërehen edhe në tokën e Daut Aliut. Pa u dëmtuar nuk mbeti as rruga nga e cila kalojnë pothuajse çdo ditë banorët e këtij fshati.
Banorët shprehen të shqetësuar për rrezikun që po u kanoset gjatë kalimit.
Ndërkaq, Kuvendi i Podujevës të premten ka miratuar raportin final të vlerësimit të dëmeve, të cilat kapin vlerën e mbi 3 milionë eurove.
Nga Qeveria e Kosovës kanë thënë se dosja e Komunës së Podujevës do të procedohet të hënën në komisionin qendror për trajtim.
