Transferohet nga Shqipëria në Kosovë një i dënuar për trafikim armësh, do të vuajë pjesën e mbetur të dënimit

Policia e Kosovës, përmes Drejtorisë për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor, në koordinim me njësitë relevante policore dhe institucionet e drejtësisë, ka realizuar me sukses transferimin e një shtetasi kosovar nga Shqipëria në Kosovë.

Transferimi është kryer më 9 qershor 2026 përmes pikës kufitare në Morinë. Bëhet fjalë për një person të dënuar në Shqipëri me pesë vjet burgim për veprën penale “trafikim i armëve dhe municionit”.

Pas transferimit në Kosovë, i dënuari i është dorëzuar Shërbimit Korrektues të Kosovës për të vazhduar vuajtjen e pjesës së mbetur të dënimit, pasi një pjesë të tij e kishte kryer në Shqipëri.

Sipas Policisë së Kosovës, ky transferim është realizuar në përputhje me legjislacionin në fuqi, marrëveshjet dypalëshe dhe bashkëpunimin e ngushtë ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë.

Policia ka theksuar se Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor do të vazhdojë shkëmbimin e informacioneve me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare, me qëllim të parandalimit, hetimit dhe zbulimit të veprave penale, si dhe gjurmimin, kapjen dhe arrestimin e personave apo grupeve kriminale që veprojnë brenda dhe jashtë vendit. /Kosova.info/

Go to TOP