Tottenham përforcon skuadrën me portierin çek
Tottenham ka njoftuar transferimin nga Slavia Prague të portierit, Antonin Kinsky.
Sipas skuadres angleze, bëhet fjalë për një kontratë të vlefshme deri në vitin 2031, e cila kap vlerën e 12.5 milionë funtave, plus bonuse.
“Është një përvojë e re. Jam shumë i lumtur dhe shumë i emocionuar”, ka thënë Kinsky në deklaratën e tij të parë si lojtar i “Spurs”.
Transferimi i tij vjen në një kohë kur Tottenham po përballet me mungesa në pozicionin e portierit. Guglielmo Vicario, portieri i parë, ka mbetur jashtë fushës që nga lëndimi në ndeshjen kundër Manchester City më 23 nëntor dhe pritet të kthehet vetëm në fund të shkurtit.
Fraser Forster fillimisht e zëvendësoi Vicario-n me sukses, por Spurs kanë fituar vetëm dy nga njëmbëdhjetë ndeshjet e fundit për shkak të krizës së lëndimeve. Për më tepër, Forster ka munguar në humbjen 2-1 ndaj Newcastle për shkak të sëmundjes, duke bërë që Brandon Austin të debutojë si titullar. Në këtë situatë, Tottenham ka vepruar shpejt për të forcuar skuadrën e trajnerit Ange Postecoglou.
Antonin Kinsky ka bërë njëzet e nëntë paraqitje për Slavia Prague këtë sezon, duke mbajtur portën të paprekur në katërmbëdhjetë ndeshje. Ai e ka nisur karrierën te Dukla Prague dhe më pas ishte transferuar te Slavia në vitin 2021. Pas periudhave në huazim te Vyskov dhe Pardubice, Kinsky kishte zënë vend si titullar para se të kalojë në Premier League.
