Topanica ironizon Vetëvendosjen: “Të dua, por s’të ndjejë” – letra dashurie që zvarrisin krizën
Publicisti Imer Topanica ka komentuar me tone ironike dhe kritikë situatën politike në vend, duke e përshkruar sjelljen e Vetëvendosjes si një tentativë për të përqafuar ish-oponenten e saj politike, Lidhjen Demokratike të Kosovës, ndonëse dikur e kishte akuzuar ashpër për lidhje me oligarkët – akuza që tani, sipas Topanicës, fshihen nga kujtesa e militantëve.
“Vetëvendosje e do oponenten politike të deridjeshme, pa çka që atë ‘e ulën në prehër oligarkët’ me të cilët është zënë fytafyt vetë Albin Kurti… Kushedi, sepse partisë më të madhe në vend ia merr mendja që do ta eklipsojë përgjatë një gjysmë mandati tjetër qeverisës simpatinë e saj të përmotshme: LDK-në”, shkruan ai.
Topanica nuk përjashton as frikën e VV-së nga një mundësi bashkëpunimi mes LDK-së dhe PDK-së, të cilën ai e cilëson si një “martesë me shkuesi”, duke theksuar ndikimin e fortë që PDK ende ka në institucionet vitale të Republikës së Kosovës.
Ai e përshkruan këtë situatë si një sagë që pritet të zgjasë, e shoqëruar me “letra dashurie”, të cilat i sheh si teknikë zvarritjeje të krizës, duke sjellë në kujtesë një varg ironik: “Të dua, por s’të ndjejë!”.
Në fund, Topanica konkludon se çdo kalkulim politik mes Vetëvendosjes dhe partive të mëdha opozitare ka çmimin e vet: në variantin LV–LDK forcohet Vetëvendosje dhe tkurret LDK, ndërsa në variantin LV–PDK ndodh e kundërta – forcohet PDK dhe zbehet Vetëvendosje.
Ai përfundon duke theksuar se kriza aktuale nuk ka të bëjë me ideologji, por me llogari të ftohta elektorale dhe dëshirë për pushtet, ku humbësi i vetëm mbetet qytetari. /Kosova.info/
