Topalli uron ditën ndërkombëtare të vallëzimit: Le të vallëzojmë me zemër, për frymëzim dhe për jetë

Me rastin e 29 prillit – Ditës Ndërkombëtare të Vallëzimit, drejtori për Kulturë, për Rini dhe për Sport në Komunën e Fushë Kosovës, z. Ali Topalli, ka përcjellë një mesazh të ngrohtë urimi për të gjithë valltarët, koreografët, artistët dhe dashamirët e vallëzimit.

Në emër të institucionit që drejton, Topalli vlerësoi rolin e jashtëzakonshëm të vallëzimit si një formë unike shprehjeje që tejkalon kufijtë kulturorë dhe gjuhësorë. “Vallëzimi është më shumë se një art – është një gjuhë universale që bashkon kultura dhe frymëzon breza të tërë,” u shpreh ai.

Duke falënderuar të gjithë ata që me përkushtim dhe dashuri mbajnë gjallë artin e vallëzimit, Topalli theksoi rëndësinë e ruajtjes dhe promovimit të kësaj trashëgimie kulturore. Ai i ftoi institucionet dhe komunitetin që të vazhdojnë ta përkrahin këtë formë arti si një mjet të fuqishëm edukimi dhe bashkimi.

“Urime Dita Ndërkombëtare e Vallëzimit! Le të vallëzojmë me zemër, për frymëzim dhe për jetë!”, përfundon mesazhi i tij. /Kosova.info/


Go to TOP