Thellohet bashkëpunimi ndërinstitucional për hetimin e krimit financiar në Kosovë
Prokuroria e Shtetit dhe Administrata Tatimore e Kosovës kanë nënshkruar Memorandum Bashkëpunimi, me qëllim intensifikimin e bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rritjen e efikasitetit në luftën kundër korrupsionit, krimit të organizuar dhe shpëlarjes së parasë.
Memorandumi parasheh krijimin e mekanizmave të drejtpërdrejtë dhe të vazhdueshëm të komunikimit ndërmjet palëve, duke mundësuar shkëmbimin e shpejtë dhe të sigurt të të dhënave relevante. Përmes këtij bashkëpunimi, ATK do të ofrojë informacione dhe analiza të detajuara për Prokurorinë e Shtetit, të cilat do të shërbejnë për nisjen dhe zhvillimin e hetimeve penale, veçanërisht në rastet kur evidentohen s’përputhje ndërmjet të hyrave dhe shpenzimeve.
Memorandumi përfshin edhe përdorimin e analizës së riskut dhe teknologjisë moderne për identifikimin automatik të parregullsive, si dhe raportimin e rregullt të rasteve të dyshimta, duke kaluar kështu nga një qasje reaktive në një qasje proaktive në luftimin e veprave penale.
Drejtori i Përgjithshëm i ATK-së, z. Mentor Hyseni, theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi duke deklaruar se ky memorandum nuk është një fillim i ri, por një vazhdim i një bashkëpunimi të ndërtuar me vite. Sot po e thellojmë këtë bashkëpunim duke e ngritur në një nivel më të avancuar, sepse bashkëpunimi ndërinstitucional nuk është dëshirë, por obligim shtetëror dhe profesional. Ky memorandum krijon mekanizma konkrete që na mundësojnë të kalojmë nga një qasje reaktive në një qasje proaktive, të bazuar në analizë risku dhe përdorim të teknologjisë moderne.
Ai shtoi se të dhënat që disponon ATK-ja, të ndërtuara nga miliona deklarime tatimore, përbëjnë një burim të fuqishëm për mbështetjen e hetimeve dhe identifikimin e parregullsive, kur përdoren në mënyrë të koordinuar dhe në përputhje me ligjin.
Ndërsa, përfaqësuesi i përhershëm i UNDP-së në Kosovë, z. Nuno Queiros, theksoi se nënshkrimi i këtij memorandumi shënon zgjerimin e bashkëpunimit ndërinstitucional për ndarjen e të dhënave ndërmjet Prokurorisë dhe ATK-së, si një mjet efektiv kundër korrupsionit dhe krimit financiar.
Ai uroi institucionet për sukses, duke nënvizuar se ky bashkëpunim kontribuon në rikthimin e fondeve të paligjshme dhe rritjen e të ardhurave për mirëqenie dhe zhvillim.
Ky bashkëpunim pritet të kontribuojë drejtpërdrejt në forcimin e sundimit të ligjit dhe mbrojtjen e interesit publik në Republikën e Kosovës. /Kosova.info/
