Kombëtare

Tetë muaj burgim dhe 1.000 euro gjobë, për shpërdorimin e mbi 200 mijë €

Gjykata Themelore në Ferizaj, ka shpall aktgjykim dënues ndaj të pandehurit B.F. shtetas i Republikës së Kosovës, i akuzuar sipas aktakuzës së Prokurorisë Themelore në Ferizaj, për shkak të veprës penale shpërdorimi i pasurisë së huaj nga neni 318 paragrafi 3 lidhur me paragrafin 1 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).

Gjyqtari individual i Divizionit Penal Habib Zeqiri, më 21 qershor 2021, ka mbajtur seancë në të cilën me aktvendim ka refuzuar marrëveshjen për pranimin e fajësisë ndërmjet të pandehurit dhe prokurorit të shtetit, ndërsa më 22 qershor 2021 është caktuar seanca e shqyrtimit gjyqësor fillestar dhe pas pranimit të fajësisë nga i pandehuri për veprën penale si në aktakuzë, i njëjti është shpallur fajtor dhe është gjykuar me dënim burgimi në kohëzgjatje prej tetë (8) muaj dhe dënim me gjobë në shumë prej njëmijë (1.000) euro.

Përmes këtij aktgjykimi i pandehuri obligohet që në afat prej gjashtëdhjetë (60) ditëve, pas plotfuqishmërisë së aktgjykimit, në emër të kërkesës pasurore juridike t’i paguaj të dëmtuarës Kolegjit ’’….’’ në Ferizaj shumën e të hollave në lartësi prej dyqindepesëmbëdhjetë mijë e nëntëqindepesëdhjetetetë euro e pesëdhjetekatër cent (215.958.54).

I pandehuri akuzohet se në vazhdimësi nga data 25 janar 2019 deri më 27 shtator 2019, dhe nga 6 janar 2020 deri më 19 tetor 2020 në një Kolegj në Ferizaj, , me qëllim të përfitimit të kundërligjshëm të dobisë pasurore për vete apo personin tjetër, e përvetëson pasurinë e cila i është besuar, në atë mënyre që duke qenë transportues i parave nga arka deri ne bankë dhe nga arka 4/F në Kolegjin në Ferizaj, ka pranuar të hollat çdo dite të cilat në disa data të caktuara nuk i ka dorëzuar në bankë në tërësi shuma e parave që nuk janë dorëzuar është 215.958.54 €.

Kundër këtij aktgjykimi, palët kanë të drejtë ankese në afat prej pesëmbëdhjetë (15) ditëve nga dita e pranimit të aktgjykimit në formë të shkruar. Ankesa i drejtohet Gjykatës së Apelit në Prishtinë, përmes Gjykatës Themelore të Ferizajt. /Kosova.info/