Terminalet doganore në duar të shtetit, ndahen mendimet: përfitim apo goditje për ekonominë?
Vendimi i Qeverisë së Kosovës për kalimin e të gjitha terminaleve doganore në menaxhim publik ka nxitur reagime të ndryshme nga njohës të ekonomisë dhe zhvillimeve në vend
Kryeministri Albin Kurti njoftoi se tashmë nuk ka më terminale private, pasi kontratat me operatorët nuk janë vazhduar dhe i fundit prej tyre ka kaluar në menaxhim shtetëror këtë vit.
Halili: Shtetëzimi i terminaleve doganore forcon kontrollin, por kërkon menaxhim efikas
Afaristi i njohur, Fadil Halili, ka vlerësuar kalimin e terminaleve doganore në pronësi të shtetit si një zhvillim me ndikim të rëndësishëm ekonomik dhe institucional në Kosovë.
Sipas tij, nga aspekti i sovranitetit, ky vendim forcon rolin e shtetit në menaxhimin e pikave strategjike të hyrje-daljeve tregtare.
“Terminalet doganore janë thelbësore për mbledhjen e të hyrave dhe kontrollin e mallrave, prandaj rikthimi i tyre në pronësi publike mund të rrisë transparencën dhe përgjegjshmërinë institucionale”, tha Halili për Kosova.info.
Në aspektin ekonomik, Halili vlerëson se shteti mund të përfitojë më shumë të ardhura direkte nga operimi i këtyre terminaleve, nëse ato menaxhohen në mënyrë efikase dhe profesionale, pa ndërhyrje politike.
Megjithatë, ai paralajmëron edhe për sfidat që mund të shfaqen. Sipas tij, menaxhimi shtetëror shpesh shoqërohet me burokraci, mungesë efikasiteti dhe ndikime politike në vendimmarrje. Në mungesë të reformave të qarta në menaxhim dhe mbikëqyrje, ekziston rreziku që performanca e terminaleve të përkeqësohet në krahasim me sektorin privat.
Halili thekson se suksesi i këtij vendimi do të varet nga mënyra se si institucionet do ta zbatojnë dhe menaxhojnë këtë proces në praktikë.
Prestreshi: Vendimi i Qeverisë e çon ekonominë drejt centralizimit
Ish-kreu i Autoritetit të Konkurrencës, Valon Prestreshi, në një prononcim për Kosova.info e sheh këtë zhvillim si problematik për ekonominë e vendit. Sipas tij, shtetëzimi i një sektori të tërë eliminon konkurrencën dhe kufizon zgjedhjet për bizneset.
Ai thekson se në mungesë të konkurrencës rriten kostot dhe bie presioni për efikasitet, çka mund të përkthehet në tarifa më të larta dhe më shumë burokraci për bizneset. Në fund, këto kosto, sipas tij, i bartin qytetarët përmes çmimeve më të larta.
Prestreshi gjithashtu paralajmëron se ndërhyrjet e tilla, sidomos nëse shoqërohen me politika si vendosja e çmimeve tavan, e largojnë ekonominë nga parimet e tregut të lirë dhe e afrojnë me një model të centralizuar. Kjo, sipas tij, mund të sjellë mungesa në treg, rritje të ekonomisë informale dhe dekurajim të investitorëve.
Krasniqi: Shtetëzimi lufton monopolin dhe klientelizmin
Në anën tjetër, në prononcim për Kosova.info, gazetari dhe analisti Ilir Krasniqi vlerëson se ky vendim mund të ketë edhe efekte pozitive, varësisht nga mënyra e zbatimit.
Ai thekson se terminalet private shpesh kanë aplikuar tarifa të larta për shërbimet duke e rënduar koston për importuesit dhe duke ndikuar në rritjen e çmimeve të produkteve. Sipas tij, kalimi në menaxhim shtetëror synon eliminimin e këtyre tarifave dhe mund të lehtësojë barrën për bizneset, sidomos ato të vogla.
Krasniqi shton se kjo lëvizje mund të ndikojë edhe në luftimin e monopoleve dhe lidhjeve klienteliste duke rritur transparencën dhe kontrollin mbi qarkullimin e mallrave, si dhe duke ndihmuar në parandalimin e kontrabandës.
Megjithatë, ai nënvizon se sfida kryesore mbetet efikasiteti i institucioneve publike duke qenë se në të kaluarën ndërmarrjet shtetërore janë përballur me burokraci dhe mungesë investimesh.
Në fund, te tretë pajtohen në një pikë: suksesi i këtij vendimi do të varet nga mënyra se si do të menaxhohen terminalet nga shteti dhe nëse ky ndryshim do të sjellë realisht lehtësim për bizneset dhe qytetarët. /Kosova.info/
