Tërheqja e 30% nga Trusti, vjen ky paralajmërim nga Haxhiu

Nga java e ardhshme, Projektligji për Trustin do të shkojë në Kuvend, me apo pa mendimin e Qeverisë së Kosovës.

Kështu tha Bekim Haxhiu, i cili është një nga iniciuesit kryesorë të këtij projektligji.
“Me apo pa mendim të Qeverisë, Projektligji për Trustin, nga java e ardhshme hyn në procedurë parlamentare në Kuvend. Të hënën duhet të iu shpërndahet deputetëve dhe pastaj të trajtohet nga Komisioni për të Drejtat e Njeriut dhe Peticione edhe të vijë për votim në Kuvend”, tha Haxhiu.

Herën e parë, në muajin qershor të këtij viti, Projektligji që do t’ua mundësonte qytetarëve tërheqjen e 30 përqindëshit të mjeteve të tyre të grumbulluar në Fondin Pensional nuk kaloi.

Kjo ishte kundërshtuar nga ana e Qeverisë por edhe nga partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje.

Mirëpo, iniciuesit e këtij projektligji nuk u dorëzuan. Përpjekja e dytë për kalim po bëhet përmes nënshkrimit të peticioneve nga ana e qytetarëve.

Mbi 17 mijë nënshkrimet që u mblodhën për tetë ditë u njohën si të rregullta nga ana e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.

Go to TOP