Teoritë konspirative rreth vaksinave të përhapura edhe në Kosovë, ekspertët thonë se ky është rrezik për shëndetin publik
Pas refuzimit të ankesës nga Gjykata Kushtetuese të bërë nga përfaqësues të lëvizjes kundër vaksinimit të detyrueshëm, edhe Avokati i Popullit pritet që të dalë me një qëndrim. Derisa juristë e profesionistë shëndetësorë, arsyetojnë nevojën për vaksinim.
Avokati Arbër Jashari thotë se çdokush ka të drejtë të vendos për shëndetin e tij, por askush nuk ka të drejtë të rrezikojë shëndetin e tjerëve.
“Konsideroj se derisa ky vendim është i mbështetur në ligj, është në parandalim të sëmundjes COVID-19 dhe nuk është në kundërshtim me nenin 26 të Kushtetutës”, deklaroi Jashari.
Edhe nga Shoqata e Pacientëve thonë se çdokush ka të drejtë të vendosin për vaksinim apo jo, por shpërndarja e informatave që ngjallin frikë te qytetarët duhet të dënohen pasi sipas tyre sigurinë e vaksinave e garantojnë ekspertët.
“Ne asnjëherë nuk jemi kundër fjalës së lirë, por duhet ta argumentojmë atë që themi”, deklaroi Besim Kodra nga Shoqata e Pacientëve.
Pulmologu në QKUK, Shpëtim Thaçi thotë se vaksinimi eviton hospitalizimin dhe format e rënda të sëmundjes, derisa thotë se qytetarët duhet të besojnë te profesionistët.
“Të vaksinuarit e infektuar kalojnë një sëmundje shumë të lehtë. Te ta virusi nuk kalon te indi pulmonar duke evituar hospitalizimin’, deklaroi Thaçi.
Në vitin 2017 një fëmijë në Kosovë kishte vdekur nga fruthi, pasi familja e tij kishte pasur dyshime ndaj vaksinave.
OBSH dhe organizata tjera simotra thonë se vaksinimi është ndër mënyrat më efikase për t’i dhënë fund pandemisë.
Comments