Tensione mes Shkupit dhe Athinës edhe gjashtë vjet pas Marrëveshjes së Prespës

Drejtuesit e rinj të institucioneve në Shkup janë të vendosur që të mos përdorin emrin kushtetues të shtetit – Maqedonia e Veriut – qoftë brenda ose jashtë vendit, pavarësisht reagimeve të shumta nga Greqia, e cila kërkon respektimin e marrëveshjes së arritur për ndryshimin e emrit nga Maqedoni, në Maqedoni të Veriut.

Gjashtëvjetori i arritjes së Marrëveshjes së Prespës, më 17 qershor 2018, i gjen dy vendet të tensionuara, sidomos pas 12 majit, kur presidentja e re maqedonase, Gordana Siljanovska Davkova, nuk e ka përdorur emrin shtetëror të vendit, gjatë ceremonisë së betimit në Parlament.

Edhe në një fjalim të mbajtur të dielën në Samitin për Paqe Globale, në Zvicër, emrit Maqedonia e Veriut iu referua me termin “vendi im”, ndërsa në të gjitha njoftimet që publikohen nga kabineti i saj, Davkovkës i referohen me “presidentja e shtetit”.

Mandatari për kryeministër, Hristijan Mickoski, po vazhdon të përdorë nëpër fjalime emrin e vjetër të shtetit, “Republika e Maqedonisë”.

“Është e drejtë e imja njerëzore ta quaj shtetin tim ashtu siç unë dua dhe e ndjej”, ka thënë Mickoski, teksa ka komentuar reagimet e palës greke, e cila ka paralajmëruar për pasoja, nëse vazhdojnë të shkelen “parimet bazë të Marrëveshjes së Prespës”.

Maqedonia e Veriut është vend kandidat për anëtarësim në BE qysh prej 17 dhjetorit të vitit 2005, mirëpo bisedimet për anëtarësim nuk ka mundur t’i nisë për shkak të vetos së Greqisë, vend që ka insistuar në ndryshimin e emrit të shtetit, për shkak të një rajoni që e ka në veri, me emrin “Maqedoni”.

Pas 13 vjet bllokadash, dy vendet patën arritur marrëveshje në Prespë, e cila parashihte ndërrimin e emrin nga “Republika e Maqedonisë” në “Republikë të Maqedonisë së Veriut”.

Greqia, më pas, pati hequr veton dhe dy vjet më vonë, Shkupi është anëtarësuar në NATO, dhe ka bërë hapa drejt BE-së.

Mirëpo, pas zgjedhjeve të fundit që ka mbajtur Maqedonia e Veriut, që ka rezultuar me emrat e rinj në pushtet, Greqia ka paralajmëruar që do të mund të kthejë veton.

Zyrtarët grekë kanë thënë se janë për forcimin e raporteve mes dy vendeve, por që diçka e tillë mund të arrihet vetëm pas respektimit të detyrimeve që dalin prej Marrëveshjes së Prespës.

Zëvendësministrja e jashtme e Greqisë, Aleksandra Papadopulo, ka thënë për mediat maqedonase se “presidentja dhe kryeministri nuk janë qytetarë të thjeshtë, dhe se për ta përdorimi i emrit kushtetues nuk është çështje personale”.

“Ne jemi fqinj, jemi aleatë në NATO dhe besoj se do të jemi edhe partnerë në Bashkimin Evropian, prandaj duam që kjo fqinjësi të vazhdojë dhe të forcohet. Greqia dëshiron të vazhdojë bashkëpunimin e ngushtë me shtetin tuaj. Por, ka një bazë për këtë bashkëpunim dhe ajo është Marrëveshja e Prespës. Respektimi i të gjitha obligimeve të së drejtës ndërkombëtare, përfshirë Marrëveshjen e Prespës është baza për bashkëpunim. Dua të besoj dhe pres në vazhdimin e bashkëpunimit me Qeverinë e re. Mesazhi është shumë i qartë, marrëveshjet ndërkombëtare duhet të respektohen. Emri i shtetit është Maqedonia e Veriut. Ky emër duhet të përdoret si brenda ashtu edhe jashtë shtetit”, ka thënë Papadopulo.

Mandatari për formimin e Qeverisë së re, Hristijan Mickoski, ka thënë se Qeveria që do të drejtojë ai do ta respektojë Marrëveshjen e Prespës, por beson që përdorimi i emrit të shtetit “është e drejtë e secilit që ta përdorë ashtu si e ndjen”.

Veç kësaj, Mickoski ka thënë se Qeveria e re do të hartojë një dokument me të dhëna mbi detyrimet që kanë zbatuar dy shtetet, meqë, sipas tij, edhe Athina ka detyrime që duhet të përmbushë.

Ministri aktual i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, ka thënë se “pala greke ka përmbushur detyrimin kryesor të saj, zhbllokimin e anëtarësimit të vendit në NATO”.

Përplasjet mes Shkupit dhe Athinës e kanë marrë vëmendjen e Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian, të cilët i kanë bërë thirrje, në veçanti Maqedonisë së Veriut, që t’i respektojë dispozitat e Marrëveshjes së Prespës, si një dokument që garanton paqe, stabilitet dhe perspektivë evropiane për qytetarët e saj.

Me rastin e gjashtëvjetorit të Marrëveshjes së Prespës, dy nënshkruesit e saj, ish-kryeministrat Zoran Zaev dhe Alexis Tsipras, kanë organizuar një konferencë për paqe dhe zhvillim të qëndrueshëm në Athinë.

Përgjatë konferencës do të ndahet edhe një çmim për ndërmjetësuesin e bisedimeve, diplomatin amerikan, Matthew Nimetz. /Radio Evropa e Lirë/

Go to TOP