Temperaturat e larta rrisin rrezikun e zjarreve, Policia apelon për kujdes maksimal!
Me rritjen e temperaturave dhe bazuar në përvojat e viteve të
kaluara, Policia rajonale e Pejës ka paralajmëruar për një rrezik të
shtuar të zjarreve në natyrë, të cilat mund të shkaktojnë pasoja të
rënda për jetën, pronën dhe mjedisin.
Autoritetet kanë dalë me një apel të drejtpërdrejtë drejtuar
qytetarëve, duke kërkuar kujdes maksimal dhe përgjegjësi gjatë çdo
aktiviteti që mund të shkaktojë zjarr, veçanërisht në zonat e hapura dhe
rurale.
Në njoftim theksohet se qytetarët duhet të shmangin ndezjen e
zjarreve në natyrë dhe të raportojnë menjëherë çdo person të dyshuar që
mund të jetë i përfshirë në zjarrvënie, qoftë e qëllimshme apo nga
pakujdesia.
Gjithashtu, apeli i veçantë i drejtohet qytetarëve të rajonit të
Pejës, ku kërkohet kujdes i shtuar gjatë përdorimit të shkrepëseve,
cigareve, grillave dhe çdo aktiviteti tjetër në natyrë që mund të
shkaktojë zjarr.
