Të zemëruar me Abbasin, palestinezët votuan në zgjedhje komunale

Të shtunën e 11 dhjetorit, palestinezët votuan në zgjedhjet komunale, në Bregun Perëndimor të okupuar nga Izraeli, në mes të pakënaqësisë së shtuar ndaj presidentit, Mahmoud Abbas i cili anuloi zgjedhjet e planifikuara parlamentare dhe presidenciale.

Më shumë se 400 mijë palestinezë kishin të drejt vote për përfaqësuesit në 154 këshilla të fshatrave në Bregun Perëndimor ku autoritetet e Abbasit kanë vetëqeverisje të kufizuar. Zgjedhjet komunale zakonisht organizohen çdo katër apo pesë vjet.

Në Gaza, nuk mbahen zgjedhjet komunale, sepse udhëheqësit islamikë të grupit Hamas, bojkotuan zgjedhjet për shkak të përçarjeve me partinë e Abbasit, Fatah.

Presidenti 86-vjeçar, anuloi zgjedhjet në qytetet e mëdha të Bregut Perëndimor si Ramalah, e që do të mund të konsideroheshin referendum për udhëheqjen e tij.

“Këto zgjedhje nuk mund të jenë alternativë e zgjedhjeve parlamentare”, deklaroi për agjencinë e lajmeve Reuters, Ahmad Issa, një 23-vjeçar para një vendvotimi në fshatin Nir Nabala në Bregun Perëndimor, duke shtuar që votimi do të mund të hapte “horizonte për të rinjtë” dhe të sillte deri tek reformat.

E në fshatin, Beit Kahil, rruga e gra prisnin në radhë para qendrës së votimit, disa me maska për t’u mbrojtur nga COVID-19.

Ndërkaq, Abbas, përkrahja ndaj të cilit në sondazhet e opinionit publik është dobësuar, ka shkaktuar zemërim në muajin prill kur anuloi zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të caktuara për verë. Abbas e arsyetoi veprimin e tij duke u thirrur në kufizimin e Izraelit të votimit në Jerusalemin lindor.

Rivalet e Abbasit, përfshirë Hamasin, e akuzuan që e shfrytëzoi kontestin rreth votimit në Jerusalem si pretekst sepse anketat, sipas rivalëve të tij, tregonin që ai dhe partia e tij do të kumbisnin. Por, Abbasi i cili sundoi me dekret tashmë më shumë se një dekadë e mohoi këtë.

Zëdhënësi i Hamasit, grup që bojkotoi edhe zgjedhjet e 2012-s dhe 2017-s ka thënë se grupi më “nuk do të marrë pjesë në zgjedhjet e pjesshme të cilat i përshtaten Fatahut”.

Hamas gëzoi rritje të popullaritetit në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin lindor pasi që luftoi për 11 ditë me Izraelin në maj. Grupi këtë vit fitoi në zgjedhjet për këshillat e studentëve në disa universitete në Bregun Perëndimor, e që vlerësohej si barometër i përkrahjes.

Palestinezët, kërkojnë shtet në Bregun Perëndimor, Gaza dhe Jerusalemin lindor, territor të cilin Izraeli e pushtoi me luftën e vitin 1967. Izraeli aneksoi Jerusalemin lindor në veprim i cili nuk njihet ndërkombëtarisht, dhe negociatat për paqe mes dy palëve u ndërprenë në vitin 2014.

Hamasi fitoi edhe në zgjedhjet e fundit parlamentare në vitin 2006. Kjo fitore u bë bazë për ndërprerje të bashkëpunimit politik. Më pas Hamasin e moti Gazën pas një lufte të shkurtër civile me Fatahun në vitin 2007 dhe që nga ajo kohë udhëheq enklavën.

Go to TOP