Të rinjtë të gatshëm të kryejnë shërbimin ushtarak, nëse ai bëhet obligativ

Pavarësisht se Kosova ende nuk e ka të obliguar shërbimin ushtarak, të rinjtë kosovarë janë shprehur të gatshëm që në rast se do të bëhej ky kusht, ata do t`i përgjigjeshin pozitivisht kësaj kërkese.

Redona Rexhepi nga Podujeva, pothuajse për asnjë moment nuk e largon nga trupi këmishën e babait të vet që dikur e përdorte si ushtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Ajo e mban atë me shumë krenari.

Megjithëse nuk ka qenë e lindur në luftën e fundit në Kosovë, ajo fort mirë e di historinë e para më shumë se dy dekadave.

Ajo tregon nga ajo që ka mësuar për gatishmërinë e babait që t’i shërbejë atdheut.

“Jam shumë krenare me babin që edhe ai pa hezituar ka pranuar të shkojë të luftojë për vendin e vet dhe sot jemi ku jemi…”, tha Redona Rexhepi, nxënëse.

Ndonëse është vetëm 17 vjeçe ajo, thotë se të njëjtat hapa, sikurse i kishte ndjekur babai i saj para 25 vjetësh, është në gjendje t`i ndjekë edhe ajo.

Madje nëse i kërkohet ndonjëherë që të bëhet pjesë e ushtrisë së Kosovës ajo do ta bënte pa asnjë hezitim.

“Pa problem, duke u nisur prej faktit që edhe babin e kam pas ushtar të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, pa hezitim do të shkoja edhe unë..”, thotë ajo.

Ata që sapo kanë diplomuar në Fakultetin e Historisë, më së miri e dinë nëpër çka kaluar Kosova

Njëri prej tyre është edhe Egzon Kiqmari.

Thotë se në rast rreziku dhe për të mirën e vendit të tij, me shumë kënaqësi do të bëhej pjesë ushtrisë së Kosovës.

“Po në raste të rrezikshmërisë kur shtetit i duhet, me shumë dëshirë e shumë vullnet”, thotë Kiqmari.  

Edhe të rinj të tjerë u shprehën të gatshëm t`i shërbejnë atdheut pa kursyer asgjë.

“Në qoftë se kërkohet përsëri për vendin tim të kontribuojmë, me më thirr ushtria pse jo, është detyrim i imi që të kontribuoj për vendin”, tha Butrint Kryeziu, student.

E kushdo që ka dëshirë dhe vullnet që të bëhet pjesë e Ushtrisë së Kosovë, mund ta bëjë një gjë të tillë edhe tani.

Kjo, pasi Ministria e Mbrojtjes tashmë e ka hapur konkursin për 300 ushtarë të rinj të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Konkursi është i hapur nga 9 shtatori deri më 8 tetor dhe mund te aplikojnë të rinjtë shtetas të Republikës së Kosovës, nga mosha 18-25 vjeç.

Go to TOP