Të rinjtë e PDK-së me valixhe protestojnë para qeverisë më 1 maj

Aktivistë të Rinisë Demokratike të Kosovës kanë zhvilluar një aksion para objektit të Qeverisë së Kosovës në Ditën e Punëtorëve. Ata u nisën drejt objektit së Qeverisë me valixhe në duar si simbolikë për ikjen e qytetarëve nga vendi.

Në shenjë simbolike ata kanë vendosur tek dyert e Qeverisë edhe një uniformë të zjarrfikësit, një të policit, një tjetër të minatorit, një mantil të mjekëve, e një ditar të mësuesit duke kërkuar kushte më të mira të punës për këta punëtorë.

Kërkesa e tyre ishin: siguri në çdo vend pune, mbulim gjithëpërfshirës sigurimesh si në sektorin privat ashtu edhe në atë publik, trajtim i drejtë dhe meritor në vendin e punës, kompensime adekuate të rrezikut për të gjitha profesionet me rrezikshmëri të lartë si dhe vende të reja të punës për rininë dhe programe aktive për t’i aftësuar e ndalur ata në Kosovë.

“Këto nuk janë vetëm kërkesa, këto janë shtyllat mbi të cilat ndërtohet një mjedis i drejtë pune, më e pakta që meritojnë punëtorët tanë. Së bashku, ne qëndrojmë për dinjitetin e çdo punëtori në Kosovë, sepse kur punëtorët mbështeten dhe vlerësohen, i gjithë shteti qëndron më i fortë”, ka thënë kryetarja e të rinjve të PDK-së, Arbnora Salihu. /Kosova.info/

Go to TOP